Shqipëria

Vendosja e SOCEUR në Shqipëri, siguri e madhe për Kosovën


Forcat Operacionale Speciale

Vendosja e një baze të Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përbën lajm shumë të mirë për sigurinë dhe stabilitetin regjional dhe kjo forcë gjithashtu do ta mbështes Kosovën, ka thënë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Sipas Ibishit, vendosja e kësaj baze në Shqipëri, “sjellë mbështetje të madhe për Kosovën, kur merren parasysh kërcënimet nga Serbia dhe Rusia”.

Ibishi ka shpjeguar edhe pse ishte pikërisht Shqipëria që u zgjodh si vend për ta ndërtuar këtë shtab ushtarak.

“Përveç tokës, që është e shtrirë shumë mirë, është gjithashtu qasja në det. Kjo jep një mundësi të jashtëzakonshme për lëvizjen e trupave në operacione eventuale nga SHBA-të dhe forcat e NATO-s, por gjithashtu edhe për partnerët evropianë strategjikë”.

Komanda e Forcave Operacionale që po vendoset në Tiranë ka vetëm një tjetër zyrë në Evropë, në Shtutgard të Gjermanisë.

Nuredin Ibishi

Pas njoftimit për bazën ushtarake, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi është shprehur i entuziazmuar duke e quajtur “superlajm”.

Ndër të tjera kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi deklaratën e Komandës se, “Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO i SHBA-ve dhe se gëzojnë një marrëdhënie të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe qeverinë e Shqipërisë që e bën vendosjen e një shtabi një vendim të natyrshëm”.

Rama ka falënderuar edhe ambasadën amerikane në Shqipëri dhe në veçanti ambasadoren, Yuri Kim.

“Falënderoj publikisht që s’e kam me fort qejf por duhet bërë. Realisht Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar që të jemi në një komunikim më të lartë prej një kohë të qëndrueshme dhe pse jo të gjatë”.

Specifika rreth ndërtimit të bazës dhe vendosjes së trupave ende nuk janë bërë publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore