Lajme

Vendimi për Manastirin e Deçanit – pengesa e paparamenduar e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në KiE


Manastiri i Deçanit

Për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në parim mos-zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Manastirit të Deçanit nuk mund të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Mirëpo, sipas tyre, çështja në fjalë patjetër se do të përdorët nga ana e Serbisë si mekanizëm për të penguar rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, mendon se shtetet anëtare që do të votojnë, për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, mund të kenë dilema nëse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë në kushtet kur nuk i respekton vendimet e  institucioneve të drejtësisë.

“Kosova duhet të zbatojë vendimet që i merr vetë për veten. Kjo medoemos reflekton në mënyrën si sillen shtetet tjera dhe institucionet ndërkombëtare karshi Kosovës. Edhe me rastin e aplikimit për Këshillin e Evropës, argumenti i Serbisë do të jetë po ky – ‘Kosova nuk duhet të pranohet pasi që nuk mund të zbatojë vendimet as të vetat dhe as të KiE-së’”, ka thënë Hoxha për Albanian Post.

Abit Hoxha

Në anën tjetër, ligjëruesi universitar në Winchester, Seb Bytyçi, është skeptik për sa i përket mundësis se a mund të jetë parakusht çështja e mos zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pasi, sipas tij, zgjidhja e çështjes së Manastirit të Deçanit i përket qeverisë lokale, e jo asaj qendrore.

“Kadastri është çështje e qeverisë lokale, dhe qeveria qendrore i ka duart e lidhura dhe nuk mund të bëjë gjë për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata nuk ka mundësi ta detyrojë Komunën ta zbatojë vendimin, dhe po ashtu as qeveria nuk guxon të ndërhyjë në kompetenca të komunës. Prandaj, me kalimin e kohës presioni mbi komunën do të rritet”, ka thënë Bytyçi për Albanian Post.

Seb Bytyçi

Ndryshe nga Bytyçi mendon Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, e cila thotë për Albanian Post se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit është njëra ndër kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Nëse sundimi i ligjit është prioritet i kësaj qeverie dhe për aq sa jam në dijeni edhe është, atëherë të gjithë duhet t’i qëndrojnë asaj. Kosova nuk duhet të humbasë mundësinë që është ngritur pas luftës në Ukrainën e cila përshpejtoi rikthimin e komunitetit ndërkombëtar perëndimor në Ballkan me ambicien për t’i mbyllur çështjet e pakryera. Pjesë e kësaj është forcimi i sovranitetit të Kosovës përmes anëtarësimin në Këshill të Evropës”, ka thënë Biserko për AP.

Sonja Biserko

Presioni ndërkombëtar

Nga koha kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë bërë thirrje vazhdimisht për zbatimin e tij, duke kërkuar që Manastiri të lejohet të regjistrojë në kadastër edhe 24 hektarë tokë dhe pyje.

Reagimi i fundit i shteteve të QUINT-it lidhur me këtë problematik daton më 20 maj të këtij viti, më saktësisht ditën kur janë bërë gjashtë vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një deklarate të përbashkët shtetet e QUINT-it kanë ripërsëritur thirrjen e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës që kjo e fundit “të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Më tej deklarata e përbashkët potenconte faktin se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese “është parakusht e nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

Flamujt e shteteve të QUINT-it

Historia e problematikës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim që manastirit të Deçanit t’i njohë pronësinë e 24 hektarëve tokë.

Mirëpo, ky vendim ka hasur në kundërshti me komunën e Deçanit si dhe ka ngjallur protesta të shumta qytetare.

Udhëheqësit e komunës së Deçanit thonë se pronat përreth Manastirit të Deçanit, që janë 24 hektarë u përkasin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk i kanë takuar Manastirit.

Në vitin 1997, autoritetet e atëhershme serbe në krye me Slobodan Milosheviçin, vendosën që pronat përreth Manastirit të Deçanit t’i takojnë këtij Manastiri.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse autoritetet e komunës së Deçanit refuzojnë t’i legalizojnë këto prona, pavarësisht vendimit të pesë viteve më parë, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njohu këto prona si prona të Manastirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore