Kosova

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndryshon listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje


Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve ka shtyrë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, që të shqyrtojë edhe një herë rekomandimet për kandidatët e radhës për deputetë, kërkesë kjo që është bërë nga presidenca.

Duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendësimi i deputetëve ka sjellë ndryshim tek emrat e kandidatëve që rekomandohen për zëvendësimin e deputetëve të cilët janë emëruar në pozita të tjera.

Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli janë dy emrat e rinj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët do të sigurojnë ulësen në Kuvendin e Kosovës si deputetë.

Në fillim në vend të Mustafës dhe Dugollit ishin Yllza Hoti dhe Gresa Bytyqi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për medie, ka thënë se “dy ndryshimet e vetme janë te kandidatët e radhës nga LVV për paradoks në vend të dy femrave të cilët kanë bërë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese do të jenë dy burra”.

Në vend të deputetëve Donika Gërvalla-Schwars, Hekuran Murati, Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Hajrullah Çeku, Liburn Aliu, Faton Peci, Xhelal Sveçla dhe Rozeta Hajdari do të jenë Enver Haliti, Shqipe Isufi, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Jahja Kokaj, Hydajet Hyseni Kaloshi, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli.

Daka, ka bërë të ditur se nga subjekti politik “Nova Demokratska Stranka-NDS”, është Samra Ilijaz, e cila do të zëvendësojë Emilija Rexhepin.

Nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, është Fridon Lala, i cili do të zëvendësojë Elbert Krasniqin.

Kurse nga subjekti politik Kosova Demokratik Türk Partisi, është Enis Kervan, i cili do të zëvendësojë Fikrim Damkën.

Kjo mbledhje ishte njoftuar nga KQZ-ja sipas të cilës ishte bërë e ditur se do të diskutohet për shqyrtimin dhe miratimin e rekomandimit për kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Kjo mbledhje është mbajtur pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore