Lajme

Vendimi i apelit ndaj Gucatit e Haradinajt shpallet më 2 shkurt


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 2 shkurt të 2023, paneli i Gjykatës së Apelit do të shpall aktgjykimin e apelit në çështjen e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DhSK).

“Aktgjykimi u shqiptua më 18 maj 2022, duke i shpallur fajtorë të dy të akuzuarit dhe duke i dënuar me katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 euro. Si Gucati ashtu edhe Haradinaj kanë parashtruar ankesat e tyre, ndërsa ZPS-ja ka njoftuar se nuk ka ndërmend të ankimojë aktgjykimin”.

“Seanca e ankesës u mbajt më 1 dhe 2 dhjetor 2022. Aktgjykimi i ankesës është caktuar të shpallet më 2 shkurt 2023”, thuhet në njoftim.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, kishte kërkuar nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues.

“Të akuzuarit pretendojnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore. Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësor tërësisht të drejtë dhe dënimi i dhënë për këtë ka qenë i drejt”, kishte thënë Whiting.

Në anën tjetër, kjo deklaratë e prokurorit ishte kundërshtar nga mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees.

“Prokurori çorientoi gjykatën kur tha që të akuzuarit kanë marrë të gjitha dokumentet të cilat lidhen me pretendimin që ka të bëjë me shtytjen në kryerjen e veprës penale, në fakt nuk është kështu, dokumentet të cilat kanë të bëjnë me këtë pretendim të mbrojtjes nuk janë marrë gjatë procesit gjyqësor”.

Sërish, kundërshtime kishte pasur nga ana e prokurorit.

“Nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes që ka pasur shtytje të të akuzuarve për kryerjen e veprës penale sepse së pari nuk kishte përfshirje të nëpunësve të zbatimit të ligjit dhe së dyti nuk ka pasur detyrim për kryerjen e krimit”, ka thënë Whiting.

“Nëse paneli i Apelit pra arrin në përfundim se nuk ka detyrim siç la bërë trupi gjykues, atëherë këtu i vjen fundi i çështjes dhe nuk ka nevojë të bëhen kërkesa të tjera, pra provat tregojnë që nuk ka pasur detyrim, nuk ka pasur shtytje për kryerjen e veprës penale për pasoja nuk ka arsye që të vinin në Apel”.

Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore