Shqipëria

Vendimet e reja të qeverisë, nga punonjësit e IT-së te lëvizja e shtetasve në BP


Ministrat e qeverisë shqiptare kanë zbuluar vendimet e reja të mbledhjes së 1 shkurtit.

Fillimisht, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se autoritetet po punojnë për të pasur mundësinë e një ekipi të kualifikuar IT-je.

Kjo, me qëllim që qeveria të jetë një punëdhënës i cili është konkurrent me tregun, në të cilin sektori i IT-së të ketë paga të krahasueshme me tregun, mbase edhe më të larta se ato.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi zbuloi dy vendime të rëndësishme për rritjen e sigurisë në rajon por edhe me krijimin e lehtësirave të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor.

“I pari ka të bëjë më lëvizjen e lirë të shtetasve në Ballkanin Perëndimor vetëm me dokument identiteti. Të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor do të qarkullojnë në Shqipëri vetëm me një mjet identifikimi”, shtoi zyrtari shqiptar.

Sipas tij, kjo është në frymën e dy nismave të rëndësishme për forcimin e rajonit si “Procesi i Berlinit” dhe “Ballkani i Hapur”.

E dyta ka të bëjë me marrëveshjen e nënshkruar me autoritetet maqedonase për krijimin e task-forcave për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar.

Qeveria ka miratuar gjithashtu një projekt-vendim, propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, në mbështetje të sistemit të Emergjencave Civile.

Bëhet fjalë për detajimin e një fondi prej 200 milionë lekësh (2 milionë dollarë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore