Shqipëria

Vendimet e qeverisë: Nga fusha e sigurisë, deri te miratimi për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO


Qeveria e Shqipërisë mesditën e 26 majit ka prezantuar vendimet e reja të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Konkretisht, një marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdimi i koncesionit të rrugës “Thumanë – Kashar”, mospranimi i rekurseve për disa çështje, ulja e notës së mesatares për degët e mësuesisë dhe miratimi zyrtar i aplikimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Fillimisht ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili njoftoi dhe marrëveshjen me SHBA-të dhe dy projektvendime të tjera që kanë lidhje me dikasterin që ai drejton.

“Është miratuar vendimi lidhur me një marrëveshje ndërmjet SHBA-ve dhe Shqipërisë që lidhet me ndryshimin e skemës së sigurisë sot”.

Sipas Peleshit, kjo marrëveshje forcon dhe linjëzon qëndrimin tonë me politikën e SHBA-ve, në raport me forcat e sigurisë të vendeve të tjera që janë listuar nga SHBA-të si problematike.

Projektvendimi i dytë kishte të bënte me hartimin e një databaze për humbjet në raste fatkeqësish të ndryshme.

Kjo do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me AKSHI-n, pasi vendi është futur në epokën e digjitalizimit. AKSHI do të monitorojë dhe do të krijojë bazën e të dhënave.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi

I treti në radhë ishte projektvendimi në lidhje me miratimin e sigurimit të jetës për personelin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilat shërbejnë në operacione jashtë vendit.

“Shqipëria është një kontributor në misione ndërkombëtare. Ne sot jemi prezent në Letoni, jemi me një prezencë të shtuar në Kosovë dhe i jemi bashkuar politikës së NATO për forcimin e krahut lindor të saj”, vijoi Peleshi.

Kjo e fundit ka ardhur pas agresionit rus në Ukrainë dhe është e rëndësishme që të forcohet krahu lindor.

“Ne do të jemi prezent edhe në Bullgari, këtë vendim e kemi marrë disa ditë më parë”, e përmbylli ai.

Koncesioni për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se është miratuar koncesioni për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar.

“Një projektvendim është ai që i hap miratimit të kontratës së koncesionit për ndërtimin, operatimin, mirëmbajtjen e aksit rrugor Thumanë-Kashar”.

Ajo theksoi se aksi do të ndërtohet në parimin e koncesionit dhe, më pas, investitori do ia kalojë pas 35 vitesh në pronësi të shtetit shqiptar.

“Procesi është bërë përmes një negocimi dhe nuk duhet harruar se është ndër më të rëndësishmet e korridorit blu. Synojmë që të hapim lotet brenda vitit 2022, që t’i kemi të përfunduar në 36 muajt e ardhshëm”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Balluku shtoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur pesë VKM, njëra prej të cilave ka të bëjë me shpronësimin, dy për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.

“Një projektvendim është për përcaktimin e kritereve të rregullave transferimit të të drejtave të licencave minerare nga zotëruesi”.

Sipas Ballukut, duke qenë se ka pasur një ndryshim në ligjin 304 të miratuar më 15 korrik 2010, u konsiderua e nevojshme të amendohen disa rregulla për transferimin e lejeve.

“Kjo vjen pas një sërë abuzimesh me licensimet. Për të fortifikuar këtë proces dhe për t’i dhënë seriozitet sektorit minerar. Ne dëshirojmë t’i kthehet dinjiteti dhe të vendosen rregulla e ligji të jetë parimi kryesor”.

 “Nuk ka më rekurse për disa çështje administrative”

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka deklaruar se Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat e reja për heqjen dorë nga rekurset për disa çështje administrative.

Ky projekt-udhëzim u është dërguar ministrive përkatëse dhe institucioneve në varësi të tyre, për heqjen dorë nga rekurset për ankiminin e vendimeve të Gjykatave të Apelit dhe asaj Administrative.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Vendimi erdhi pas kërkesës së Gjykatës së Lartë që institucionet publike të mos bëjnë më rekurse pranë saj. Bëhet fjalë për çështje, të cilat nuk kanë interes publik apo lidhje me aktualitetin.

Ulet nota mesatare për degët e mësuesisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë me dije se një maturant, i cili ka përfunduar me mesataren 6.5, mund të futet në ciklin universitar për Gjuhë Shqipe-Letërsi, Matematikë, Fizikë etj.

Konkretisht është ulur nota mesatare – e cila ishte 7.5 – për të konkurruar në këto degë.

Por ajo theksoi se këta studentë, pas mbarimit të ciklit trevjeçar, nuk mund të vijojnë master-in për mësuesi.

Sipas saj, ata mund të profilizohen në profesione të tjera.

“Jo të gjitha ata që futen për gjuhë të huaj duan të bëhen mësues. Mund të ketë dhe nga ata që duan të bëhen përkthyes”, u shpreh ajo.

Më tej, ministrja tha se këta studentë do të kenë një kod të veçantë matrikullimi. Ky vendim ka ardhur, pasi universitetet kanë shprehur shqetësimin e regjistrimeve të ulëta për shkak të mesatares.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi
Shqipëria jep zyrtarisht miratimin për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka deklaruar se Qeveria ka miratuar në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë.

“Ky zhvillim forcon sigurinë në hapësirën euro-atlantike dhe vetë bashkëpunimin NATO-BE”, tha Xhaçka.

Sipas saj, vendimi ka një rëndësi të veçantë dhe vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus në Ukrainë.

Vetë fakti se ato me traditë të gjatë neutraliteti flet qartë për llojin e kërcënimit.

“Fakti që Finlanda dhe Suedia duan të anëtarësohen në NATO, flet qartë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot Evropa”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

Për ministren, kjo tregon edhe besimin që gëzon NATO, në garantimin e sigurisë kolektive të çdo vendi anëtar.

“Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë politikën e Dyerve të Hapura nga ana e NATO-s, për të gjithë ato vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore