Shqipëria

Vendimet e pazbatuara të gjykatave, Shqipëria gjobitet 62 mijë euro


Raporti i Këshillit të Evropës (KiE), për vitin 2020, i publikuar të mërkurën e 31 marsit, e ka përcaktuar si problematike zbatimin e vendimeve të gjykatave në Shqipëri.

Raporti analizon të gjitha vendet anëtarë të KiE-së, ku sipas të dhënave janë ende 5 mijë e 233 vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) të pazbatuara, nga të gjitha vendet anëtare.

Shqipëria ka katër çështje, të cilat ende po shqyrtohen nga Komiteti i Ministrave të KiE-së.

Përgjatë vitit 2020, Shqipëria u gjobit me 62 mijë euro. Një vlerë më e ulët krahasuar me një vit më parë, kur u gjobit me 117 mijë e 50 euro.

Çështjet kundër Shqipërisë

Sipas raportit, çështja e parë kundër Shqipërisë i referohej trajtimit çnjerëzor dhe degradues të dënuarit (Strazimiri kundër Shqipërisë), i cili ishte dërguar në një klinikë psikiatrike në vend.

“Gjykata theksoi se duhet të krijohet një ‘institucion i përshtatshëm’ për të akomoduar persona të tillë, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës. Ky institucion duhet të respektojë qëllimin terapeutik të dënimit dhe rekrutimin e një numri të mjaftueshëm personeli të kualifikuar të kujdesit mendor”, shkruhet në raport.

Gjithashtu sugjerohet që autoritetet të marrin në konsideratë, kur është e përshtatshme, mundësinë e trajtimit ambulator të shëndetit mendor.

Çështja e dytë i përket zvarritjes së procedurave gjyqësore. Komiteti është shprehur se Shqipëria ka dështuar në menaxhimin e çështjeve, pasi “ka shumëfishuar procedurat” për të njëjtën çështje dhe njëkohësisht vendi “nuk ka mekanizma juridike” për të ndaluar një gjë të tillë.

Të drejtat dhe statusin e nëpunësve civilë e kanë garantuar një numër reformash legjislative të ndërmarra, duke krijuar kështu gjykata administrative për të gjykuar mosmarrëveshjet që rrjedhin nga vendimet administrative.

“Legjislacioni gjithashtu ka prezantuar mjete juridike, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e urdhrave dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke përfshirë një mjet të shpejtë për kompensimin e rasteve të zbatimit të vonuar të vendimeve”.

Pikë kyçe ka qenë dhe çështja e prishjes së banesave dhe bizneseve në një qytet bregdetar shqiptar, pa një urdhër gjykate. Kjo u gjykua nga GJENDJ në 2018-n dhe autoritetet supozohet të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve që mund të shkelin të drejtat e pronës së aplikantëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore