Shqipëria

Vendimet e Këshillit të Ministrave: Bordi i Transparencës do të vazhdojë të funksionojë; Dy parqe fotovoltaike në Korçë


Qeveria e Shqipërisë mëngjesin e 9 qershorit ka prezantuar vendimet e reja të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka folur për Bordin e Transparencës, i cili do të vijojë të funksionojë, si dhe për një sërë vendimesh, të cilët kanë në thelb zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja dhe shqiptare.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vijoi Ahmetaj, “u kalua një draft që ka të bëjë me tekno-parqet, për qytetarët dhe sipërmarrjen e interesuar”.

Ky draft, shpjegoi zëvendëskryeministri, vlen për të gjithë ata që kanë ide në teknologji dhe do të ndihmojë start up-et, të cilat do të jenë pa taksa dhe të mbështetura nga buxheti i shtetit.

“Kjo vjen si pjesë e zhvillimit digjital, që qeveria e ka nisur para tre vitesh”.

Për sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Ahmetaj tha se Shqipëria dhe e gjithë bota gjendet në krizë, porse qeveria shqiptare ka marrë masa që qytetari të mos e ndiejë aq sa në vendet e tjera të rajonit.

“Po ju them që Shqipëria e ka inflacionin 6.2%, më pak se e gjithë rajoni. Është një krizë e shkaktuar nga njeriu. Do të përdorim të gjitha instrumentet, edhe inovative, që të frenojmë rritjen abuzive të çmimeve. Çdo instrument, që do të frenojë abuzimin me çmimet, do të fillojë të funksionojë. Do t’i zbatojmë të gjitha mekanizmat për lehtësim”.

Parqet fotovoltaike në Korçë

Dy parqe fotovoltaike janë miratuar nga Qeveria shqiptare për ndërtim, në kuadër të investimeve në industrinë e gjelbër dhe prodhimin e gjelbër të energjisë.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Parqet do të jenë me një kapacitet prej 20 megawatt orësh secili, duke e çuar totalin në 40 megawatt/orë.

Investimi do të vijë nga sektori privat në Shqipëri dhe nuk do të ketë asnjë shpenzim prej buxhetit të shtetit mbi këto dy projekte.

Përfitimi i shtetit në këtë rast do të jetë në terma vjetorë në një vlerë prej 2% të prodhimit, qoftë në vlerë monetare, qoftë në sasi të energjisë së prodhuar, në bazë të vendimit të vetë furnitorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore