Lajme

“Vendim politik e i kundërligjshëm, Kuvendi ta shqyrtoj themelimin e Gjykatës Speciale”, thonë veteranët e UÇK-së pas dënimit të Mustafës


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku dhe Sali Mustafa.

“Që nga themelimi i kësaj gjykate e kemi konsideruar që është gjykatë politike, por edhe vendimi është politik”, deklaron ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku në një bisedë për Albanian Post.

Për të vendimi i Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës, i cili u dënua më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture s’është vendim aspak i drejt.

Sipas tij, gjykata ka shkelur edhe ligjin që përcakton deri në sa vite mund të dënohet një person.

Këtë Klinaku, e thotë duke u bazuar në gjykimet e tjera të këtij institucioni të drejtësisë.

“Në gjykimet e tjera është thënë që nuk mund të ketë maksimum dënim më të madhe sesa 20 vite, ndërsa absurditeti i kësaj që edhe jashtëligjshëm që veprojnë apo po marrin vendime është e para, Prokuroria ka dërgu 35 vjet ndërsa dënimin e marrin 26 vjet, do të thotë përveç që është politik është edhe i kundërligjshëm”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku

Kurse, thotë se si OVL aktualisht nuk mund të bëjnë asnjë veprim për të dalur kundër këtij vendimi.

Por, që kërkesë kanë për Kuvendin e Kosovës.

“Pasi gjykata është duke vepruar në Hagë nuk mund të ndërmarrim asgjë. Përveç asaj që kemi kërkuar dhe kërkojmë përsëri nga Kuvendi i Kosovës, që ka themeluar këtë gjykatë që ta shqyrtoj themelimin e kësaj gjykate sepse përveç që është gjykatë politike kësaj i ka skaduar edhe mandati 5 vjeçar që e ka pasur të paraparë në Kushtetutë”, thotë Klinaku për Albanian Post.

Për avokatin e licencuar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, vendimi i Gjykatës Speciale nuk është verdikti përfundimtar, pasi që palët në këtë rast Salih Mustafa, ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit për zbutjen e dënimit.

Sipas Musas, dënimi i dhënë ndaj Mustafës është i rëndë, dhe më të rëndë e bënë fakti se gjykimi nuk është karakterizuar me një procedurë të drejtë, pasi procesi gjyqësor ka qenë i shoqëruar vazhdimisht me shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal.

“Nuk është respektuar gjendja faktike në këtë rast. Nuk është vendim i drejtë për shkak se nuk ka pasur gjykim të drejtë dhe vendimi ka të meta të shumta në çështje ligjore”, ka thënë Musa për Albanian Post.

Gjykata Speciale shpall Salih Mustafën fajtor – 26 vjet burgim

“Në emër të popullit të Kosovës, duke marrë parasysh të gjitha provat, trupi gjykues ju shpall fajtor”.

Kështu është marrë vendimi për dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Musafës, nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali u shpallë fjator në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.

Dënimi, nga 35 vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 26 vjet burgim.

Mustafa është shpallur i pafajshëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

Duke qenë se Mustafa u shpallë fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar fillimisht nga një dënim për vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.

E më pas Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet heqje lirie.

“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrarë, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.

Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Mappie Veldt-Foglia

Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Absurditeti i Speciales: Prokuroria kërkoi për Salih Mustafën dënim më të madh se sa për të gjithë kriminelët serbë të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore