Shqipëria

Veliaj: Piramida, qendër digjitale ballkanike


Ka nisur zyrtarisht puna për rijetëzimin e Piramidës së Tiranës, një projekt që u quajt nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, si transformimi nga një muze diktature, në qendrën më të madhe digjitale në Ballkan.

“Kjo sipërmarrje do të përmbyllet brenda vitit 2023”, deklaroi Veliaj. “Ajo do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të informacionit dhe teknologjisë. Kompani të ndryshme mund të testojnë produktet e tyre brenda ambienteve”.

Ambientet e Piramidës, do të jenë një ekosistem digjital për start-up-et, sipas projektit. Materialet me të cilat do të punohet, do të jenë tërësisht të riciklueshme. Godina do të përshtatet sipas motit, nga tërësisht e hapur në mot të kthjellët, në tërësisht të mbyllur në mot me shi.

Pjesa më e rëndësishme sipas kryebashkiakut, do të jetë qendra Tumo, në pjesën e jashtme të territorit. “atje do të mundësohet kryerja e praktikave të studentëve. Qoftë ato shkolore, qoftë profesionale” saktësoi Veliaj.

Ndër fushat më të zhvilluara në objekt, do të jenë ato të teknologjisë, arteve pamore dhe arteve të tjera. Do të krijohet edhe mundësia për “web design”, si një mundësi formimi, për të rinjtë që kërkojnë të punësohen në kompani të huaja online.

Kush e financon këtë investim?

Ky investim, do të jetë një bashkëpunim midis Bashkisë së Tiranës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim. Vlera tërësore arrin në 35 milionë dollarë.

Bashkëdrejtuesi i fondit, Martin Mata, theksoi se “angazhimi i tyre, është tërësisht i përqendruar tek idetë për të ardhmen”.

“Piramida po rindërtohet për të siguruar të ardhmen. Koha është sot për të garantuar të nesërmen. Nuk do të kursehet asnjë dollar që kjo punë të bëhet siç duhet”.

Një fjalë të shkurtër, mbajti edhe Ambasadorja Kim. Ajo cilësoi se “historia është një gjë kureshtare”. Ambasadorja shpjegoi se ndërtimi origjinal i Piramidës në vitin 1988, ishte “një festim cinik i diktaturës”.

“Por populli shqiptar ka rol në krijimin e historisë”, shtoi Kim. “Falë bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, kjo hapësirë do të zhvillohet në aspektin teknologjik. Kjo gjë po kthehet në realitet”, përmbylli Kim.

Piramida e Tiranës, ka ngjallur shpesh debate për mënyrën si duhet trajtuar. Piramida, pas diktaturës, u përdor si qendër kulturore, disko apo edhe zyrë televizionesh.

Në vitin 2010, ish-kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se godina do të shembej. Në vend të saj, do të ndërtohej një objekt i ri për Parlamentin. Ky vendim u kundërshtua nga opozita e asaj kohe.

Më pas, u hamendësua se objekti do të përdorej si qendër rekreative për të rinjtë. Brenda saj do të kishte ambiente të ndryshme argëtimi dhe punësimi.

Tashmë, zyrtarizohet fillimi i punimeve nga kompania holandeze MVRD, ku Piramida shndërrohet në qendër teknologjie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore