Sport

Veliaj për FSHF-në: Përveç Prokurorisë mund të bëjmë padi edhe në SPAK


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë mbrëmjen e 27 janarit, ndër të tjera, u ndal edhe te çështja me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Kryebashkiaku ka bërë me dije se ka ngritur një padi në Prokurori ndaj Federatës dhe se kreu i saj, Armand Duka, është kundërshtari i tij.

Madje, Veliaj beson se Federata funksionon si organizatë kriminale dhe se nëse do të jetë e nevojshme “mund të bëjmë edhe në SPAK padinë”.

“Në këtë betejë, Armand Duka është kundërshtari im, jam aksioner në klubin e Tiranës”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Gjatë intervistës, ai ka ravijëzuar se kallëzimi nuk kishte transparencë dhe delegatëve u janë ndryshuar emrat.

“Në kallëzim kërkohet transparencë, se kush është delegat, është denoncuar me emër Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, sepse kanë ndryshuar emrat e delegatëve. Ka të bëjë me korrektësinë e zgjedhjeve”, tha Veliaj.

Përplasja “Duka-Veliaj”

E diela e 23 janarit do të bënte që mediat të gëlonin mbi një çështje të paprecedentë në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës, në rolin e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana, do ta padiste Armand Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së, duke përpiluar një dosje voluminoze edhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nga vetë Federata, përgjigjja erdhi e shpejtë.

Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore. Por, ato u faktuan të hënën e 24 janarit, kur Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për Dukën.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka

Megjithatë, nga vetë federata, çështja u shpërfill. Ata u fokusuan tek goditja ndaj vetë Veliajt dhe nxorrën në dritë një audiopërgjim 30 minutësh, nga mbledhja e kryebashkiakut të Tiranës më disa zyrtarë të klubeve sportive tiranase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore