Lajme

Vela – Vuçiçit: Rritu, fëmijë i llastuar


Blerim Vela - Shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Blerim Vela – Shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili e ka quajtur “budallallëk” deklaratën e Osmanit – “Serbia është vegël që Rusia e përdorë për ta destabilizuar Ballkanin”.

Vela i është drejtuar presidentit serb duke i thënë “rritu, fëmijë i llastuar”.

“Politika e Vuçiçit mund të jetë tërheqëse për audiencën e TV Pink ose TV Happy, por është krejtësisht pa shije. Realiteti qëndron se ai është politikan frikacak që vazhdimisht i projekton të gjitha pasiguritë e tij përmes tregimeve seksiste dhe të dhunshme”, ka shkruar Vela në Twitter.

Vuçiç, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive ose nuk do të bëhet fare.

“Asociacioni o do të bëhet me kompetencat që jemi marrë vesh në Bruksel ose faleminderit, ne punën tonë, ju tuajën dhe do të takohemi një ditë”, tha Vuçiç.

Ai kështu i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Më së miri është që Asociacioni të ketë të drejtën të prodhojë qese për krem-banane. Eventualisht tri shkrepëse dhe dy lapsa për fundvit dhe kështu Vjosa Osmani të jetë e lumtur”, theksoi në mënyrë ironike Vuçiç.

“Është një marifet i mjerë që përdorin sepse kur nuk dinë çfarë të thonë kundër Serbisë, thonë se jemi të lidhur me Rusinë dhe Kinën. Politika jonë është një Serbi e pavarur, sovrane, e lirë në rrugën evropiane, por që respekton miqtë e saj rusë, kinezë dhe amerikanë”, shtoi ai.

Ndërkaq, presidentja Osmani, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë thënë se nuk do të ketë Asociacion, pasi ai do të shndërronte Kosovën në një shtet jofunksional, duke marrë shembull edhe Bosnjën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore