Kosova

Vela i kundërpërgjigjet Vuçiç-it: Vallaqi është pasuri e Kosovës


Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela

Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Twitter pas deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili është shprehur se “Prishtina po zgjedh nëse dhe kur do ta pushtojë nënstacionin e Vallaqit”.

Vuçiç po kërcënon sikur ky nënstacion të ishte i Serbisë, ka shkruar Vela duke bërë të qartë se është pronë e Kosovës dhe se nuk ka nevojë për “pushtim” të tij.

“Zyrtarët e qeverisë së Serbisë po përhapin informacione të rreme dhe po kërcënojnë se do të përdorin forcën sikur Vallaq të jetë pasuria e tyre. Është e qartë se nuk është [i Serbisë], është i Kosovës”, ka shkruar Vela.

 

Presidenti serb Vuçiç me pesë nëntor kishte deklaruar për herë të dytë se pret që autoritet në Kosovë ta marrin nën kontrollë nënstacionin e rrymës në Vallaq në afërsi të Zveçanit.

“Unë thashë që është e mundur që kjo do të ndodhë nga 6 nëntori, shkaku i qëndrimit të operatorëve atje, duke kërkuar arsye për pagesën e rrymës në veri”.

Sipas Vuçiçit, kjo do të bëhet nën pretekstin për tarifim të energjisë elektrike në Veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, shkruan media serbe N1.

“Këtë unë gjithsesi do ta shfrytëzoj në një moment të caktuar për të arritur qëllime politike që s’kanë të bëjnë me energji”, ka thënë ai.

Vuçiç e ka përshkruar atë si “zemrën e sistemit energjetik të Kosovës, çelësin e stabilitetit energjetik të Kosovës dhe, rrjedhimisht, objektivin e ri të stabilitetit energjetik të Prishtinës”.

Akeksandër Vuçiç, President i Serbisë

“Kemi të dhëna të reja. A po planifikohet operacion tjetër brenda 48 orëve? Inteligjenca nga jashtë të Serbisë po punojnë prej ditësh për nënstacionin kyç në Veri të Kosovës”, shkruan mediumi serb “Kurir” në artikull-intervistën me Millovan Dreçun.

“Çelësi i stabilitetit energjetik në pjesën veriore të Kosovës, nënstacioni në Valac në Komunë e Zveçanit është shënjestra e re Prishtinës”, ka thënë Millovan Dreçun mëngjesin e së enjtes, më 4 nëntor.

Rrjet i energjisë elektrike

Qytetarët e komunave në veriun e Kosovës Mitrovia e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani që nga viti 1999 nuk paguajnë rrymën dhe ujin.

Vlerësohet se borxhi për rrymën e shpenzuar në këto komuna është 8 milionë euro në vit.

Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat tjera, duke pasur faturat e tyre më të shtrenjta për 3.5 për qind. Pas ankesave, Gjykata e Apelit ka vendosur të pezullojë këtë praktikë, sepse ka qenë e paligjshme.

Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore