Lajme

Vdiq Peter Gotti (por bosi i vërtetë i mafias së New York-ut ishte John-i)


Roberto Saviano shkruan për Corriere della Sera

Shkëlqimi dhe rënia e dinastisë napolitane: Peter-i, i ndrojtur dhe pa dëshirën për të komanduar, mbajti në dorë familjen nga 1999 deri në vitin 2002, kur John-i fillimisht u sëmur dhe pastaj vdiq në burg.

Plakushi Peter Gotti ishte shumë i ndryshëm nga vëllai i tij John. Pietro ishte i ndrojtur, i kujdesshëm, nuk kishte asnjë dëshirë të komandonte. Giovanni nga ana tjetër, kishte një talent natyral për përmbysje.

Peter-i u “caktua” si mafioz nga i vëllai rreth fundit të viteve ‘80. John-i, që i vogël, kishte vetëm një dëshirë: Të mund të takonte drejtpërdrejtë Carlo Gambino-n, numrin një. Dhe ja arriti!

Gotti-t ishin me origjinë nga Napoli, nga San Giuseppe Vesuviano. I ati ishte punëtor krahu, historikisht i papunë. E ëma ishte shtëpiake, e cila çonte përpara stërmundimet e 11 fëmijëve, të gjithë të hedhur rrugëve të Brooklyn-it. Gotti-t komanduan në vitet ‘80 familjen me origjinë siciliane, Gambino-t.

Sot, nuk e di mirë për çfarë arsye, por është e paqartë – përveçse për disa – që Cosa Nostra amerikane nuk është si Cosa Nostra italiane. Kjo e fundit është e përbërë nga familje siciliane (me përjashtim të një familjeje napolitane që banon në rrethina). Cosa Nostra në SHBA mbledh të gjithë kriminelët italianë në një organizatë të vetme, pavarësisht krahinës prej ku kanë origjinën: Nga Abruzzo, Puglia, Sicilia, Calabria apo Campania.

Peter Gotti e mbajti familjen në dorë prej vitit 1999 deri në 2002-shin, kur John-i u sëmur fillimisht e pastaj vdiq në burg

Në pak kohë, shumë fatkeqësi. I pari, ai i paaftësisë për të vrarë Salvatore Gravano (Sammy the Bull), njeriun që duke bashkëpunuar me FBI-në, ekspozoi të gjithë klanin dhe vendosi në rrezik gjithë Cosa Nostra-n amerikane.

Peter-i vendosi një shpërblim për këdo që do të vriste “Bull-in”. Më pas vendosi shpërblim për kë kishte informacione mbi të. Filloi të mendonte nëse duhet të shfaroste familjen Gravano, por e bllokuan disa familje të tjera, me arsyetimin se do të përforconte thjesht të veçuarit të tij si tradhtar.

Peter-i pa familjen Lucchese të merrte epërsinë dhe, midis dënimeve dhe pendimeve të njerëzve të tij, i mbylli vitet e fundit të jetës në burg, pa mundur të çonte familjen në fitimet e të vëllait.

John Gotti shkëmbeu sigurinë e fuqisë së tij me dukshmërinë

Në mes të viteve ‘80, fitimet e tij personale ishin 15 milionë dollarë në vit, por struktura e Cosa Nostra-s, pesë familjet (Gambino, Lucchese, Genovese, Bonanno, Colombo) filluan të kishin të hapura shumë procese gjyqësore. Kjo, për një shkak të vetëm: karrierat politike të prokurorëve të New York-ut mateshin me sasinë e mafiozëve që ata arrinin të arrestonin – e paprecedente kjo në historikë amerikane – kështu që klanet duhet të tregoheshin të fortë pavarësisht pengesave.

Të dukeshin, jo të ishin!

Gotti zgjodhi dukshmërinë që e bëri shënjestër, por forcoi udhëheqjen e Gambino-ve në gjithë botën.

Pas një atentati ndaj mafiozit DeCicco në vitin 1986, projektorët mediatikë u ndezën në New York mbi grindjet brenda familjes Gambino. DeCicco u hodh në erë me një bombë. Gotti mendoi fillimisht se ishin ata që quheshin “zip”, pra, jo mafiozët italo-amerikanë, por mafiozët e rinj sicilianë të ardhur nga Italia për të shtrirë rrënjët e tyre (është gjithnjë e lejuar në mjediset e mafias italiane të veprosh në çdo territor pa i dhënë informacion askujt).

Cosa Nostra amerikane, në ndryshim nga kushërinjtë italianë, nuk përdorte bomba, pasi nuk donin të vinin në rrezik të pafajshmit. Po ashtu, nuk prekeshin as gjyqtarët që ishin të blerë apo gazetarët që nuk cilësoheshin si influencues në SHBA-në ku opinioni publik korruptohej, nuk influencohej.

DeCicco ndërkohë ishte vrarë nga Lucchese-t, por lajmi thelbësor për Gambino-t ishte që revista Time, vuri në kopertinë, në një projekt artistik të kuruar nga Andy Wharol, pikërisht atë, John Gotti-n.

Ishte një nga kopertinat më të shitura në histori. John-i u bë bosi më i famshëm në botë. Prezantohej pikërisht siç e imagjinonin të tjerët: Veshje të shtrenjta elegante italiane. I rruar mirë (Cosa Nostra e urrente mjekrën dhe mustaqet). Me flokët e kuruar në mënyrë të përditshme nga një berber.

Gotti u bë miti i bosëve që nuk fshiheshin pas hipokrizisë

Paratë bëhen gjithnjë duke kryer krime. E rëndësishme është të rishpërndahen drejt atyre që kanë nevojë dhe që respektojnë rregullat e nderit. Kjo ishte fabula: i pamëshirshëm me armiqtë, por bamirës me të dobëtit.

Në të vërtetë, John-i ishte në mënyrë të padurueshme autoritar dhe këtë gjë e dinte shumë mirë vëllai i tij, Peter-i. Nuk kishte asnjë vizion liberal, ndryshe nga sa thoshte në intervista. Racist deri në palcë, ashtu siç e donte tradita mafioze.

Urrejtja ndaj afro-amerikanëve mbeti prioritet. I quante “e tizzun” (prush), në dialektin napolitan. Gotti-t ishin antisemistë. Nuk e kishin duruar kurrë faktin se në vitet ‘40, organizatat kriminale italiane kishin pranuar në gjirin e tyre mafien hebraike të New York-ut, në një shkrirje të pazakontë.

Jack Newfield, në një nekrologji për revistën New York, e përshkruante kështu bosin:

“John Gotti ishte bosi ‘div’, i cili dashuronte vetveten. E baraspeshonte egon e tij me gjithë Cosa Nostra-n. Ishte një kthim në kohë i kriminelëve të parë narcistë, Bugsy Siegel dhe Al Capone, të cilët nuk kuptonin kufirin dhe ishin të varur ndaj reklamës”.

Peter-i ishte thjesht vëllai i mbretit, ai që vinte pas. Ishte ai që vlente vetëm sepse mund të shkonte përpara të tjerëve te John-i.

Pra, si të thuash, nuk vdiq Peter Gotti, por vdiq vëllai i John Gotti-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore