Lajme

Vdiq Behlul Beqaj, profesor universitar dhe politolog


Behlul Beqaj

Ka vdekur në moshën 65 vjeçare profesori i shkencave politike, Behlul Beqaj.

Kështu ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook, Adea Beaqaj, vajza e politologut.

Ajo ka treguar se Beqaj do të varroset të dielën në varrezat e qytetit në Prishtinë.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se më i dashuri ynë Belul Beqaj ndërroi jetë sot më 25 shtator 2022. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 25.09.2022 në ora 13:00, në varrezat e qytetit, Prishtinë (Arbëri)”, ka shkruar ajo.

Beqaj ishte profesor në kolegjin UBD, ndërsa deri në vitin 2006 ishte kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Në muajin prill të këtij viti ishte promovuar libri i të ndjerit me titull “Autoritarizmi dhe Poltronizmi si rrënues të demokracisë”.

Ndryshe, Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.

Ka diplomuar, magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit publik të Maqedonisë.

Është autor i dhjetëra punimeve publicistike -shkencore, pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore