Lajme

Vdes polici amerikan pas sulmit në Capitol


Një sulm në Capitol ka lënë të vdekur një oficer policie dhe ka plagosur rëndë një tjetër. Një makinë është përplasur me barrikadën mbrojtëse të vendosur në kryeqytetin amerikan. Menjëherë më pas, shoferi u sul drejt policëve me një thikë në dorë.

Autori i ngjarjes u qëllua menjëherë dhe mbeti i vdekur në vend.

Ky sulm vjen tre muaj pas protestave të përgjakshme në Capitol, por nuk duket i lidhur me to. Terrorizmi është përjashtuar nga arsyet.

“Kemi përgjegjësi të zbardhim gjithë ngjarjen”, tha shefi i policisë së Washington-it, Robert Contee.

Oficeri i vrarë është William Evans. Ai kishte qenë pjesëtar i policisë së Capitol-it për 18 vjet.

Ky është sulmi i dytë në më pak se tre muaj në Capitol. Të dy, pas protestave të 6 janarit, në të cilat mbetën të vrarë pesë persona.

Situata në SHBA është tensionuar që pas zgjedhjes së Joe Biden si president, ku trazirat kanë qenë jo të pakta.

Një valë sulmesh masive ka përfshirë Amerikën gjatë muajit mars. Në javën e fundit, shtatë sulme janë ndodhur në shtatë ditë. Në to kanë mbetur të vrarë dhjetëra njerëz.

Sulmet kanë pasur edhe motive racore. Siguria e Capitol-it gjithsesi, mbetet prioritet i sigurisë në SHBA.

Pas ngjarjes, e gjithë zona është rrethuar dhe nuk lejohet asnjë qarkullim mjetesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore