Lajme

Vdes një person pasi goditet nga kamioni në Pejë


Ilustrim

Një person ka vdekur në Pejë pasi është goditur nga një kamion pasditen e kësaj të enjte. Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Policia është njoftuar se në fsahtin Bogë të Rugovës ka ndodhur një aksident me lëndime fillimisht, tani me fatalitet më vonë. Një person është goditur nga një kamion, i cili ka pësuar lëndime trupore. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar”, tha Gashi.

Trupi i pajetë, me urdhër të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Më 26 korrik, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka apeluar gjithë qytetarët për kujdes të shtuar për shkak të numrit të madh të aksidenteve në komunikacion ditëve të fundit.

‘’Duke pasur parasysh se jemi në sezonin  veror, me ç’ rast është shtuar fluksi i automjeteve, ardhja e bashkatdhetarëve ku ditëve të fundit vërehet edhe rritje e numrit të aksidenteve përfshirë aksidentet me lëndime dhe me fatalitet’’, ka njoftuar policia.

Sipas njoftimit, policia ka shtuar aktivitetet e saj me prezencë të shtuar policore përmes pikave të kontrollit të automjeteve dhe patrullimit në lëvizje, me qëllim të ofrimit të sigurisë në trafikun rrugor, parandalimin e aksidenteve e kundërvajtjeve si dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore