Lajme

Vdes një grua dhe katër persona lëndohen në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”


Një grua ka vdekur dhe katër persona të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku të ndodhur të shtunën në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se ky aksident me fatalitet ka ndodhur rreth orës 21:45 në rrugën Mazgit – Fushë-Kosovë mes dy veturave.

Organet kompetente janë duke kryer hetimet për të identifikuar shkaqet e këtij aksidenti.

“Më datën 04.03.2023 rreth orës 21:45 në Autostradën Ibrahim Rugova në hyrje-dalje Mazgit-Fushë Kosovë është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet, ku raportohet se një person (femër) ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore”, tha Hoxha për Albanian Post.

Ai ka theksuar se të involvuara në këtë aksident janë dy automjete.

“Në vend ngjarje ka dalë njësia e hetimeve, drejtori i divizionit rrugor të PK-së dhe është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dalë po ashtu në vendngjarje dhe hetimet për të identifikuar shkaqet e këtij aksidenti janë duke u kryer nga kompetente”.

Sipas policisë, në Prishtinë janë lënduar dy persona, njëri nga ta dyshohet të ketë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.

“Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti. Menjëherë pas raportimit të rastit nga zyrtarët e njësitit të hetimeve të përgjithshme, është identifikuar dhe arrestuar njëri nga personat e dyshuar”.

Ndërsa aktualisht hetuesit janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për rastin i cili është cilësuar si vrasje në tentativë.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, një person i cili kishte tentuar të vetëvritej në lumin e Prizrenit të shtunën, por është shpëtuar nga organet e rendit.

“Njësit policore deri sa ishin duke patrulluar duke realizuar detyrat e tyre kishin vërejtur se në lum është një person. Të njëjtit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrit ta largojnë dhe shpëtojnë viktimën mashkull kosovar nga aty, si dhe e kanë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Pas trajtimit mjekësor viktima është dërguar në Spitalin e Psikiatrisë për tretman të mëtutjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore