Muzikë

Vdes në moshën 72-vjeçare basisti i “ZZ Top”


Basisti i bendit amerikan rock-blues “ZZ Top”, Dusty Hill, i cili për më shumë se 50 vite luajti në trion mjekërroshe, është ndarë nga jeta të martën, në moshën 72-vjeçare.

“E kemi marrë me vuajtjen më të madhe lajmin që Dusty Hill ka ndërruar jetë në gjumë në shtëpinë e tij në Houston, Texas. Ne, me legjionet e fansave të ZZ Top anembanë botës, do të na marrë malli për prezencën, natyrën tënde të mirë, dhe vendosmërinë monumentale të palëkundur. Ne përgjithmonë do të jemi të lidhur me këngën Blues Shuffle in C, malli do të na marrë shumë amigo”, kanë thënë dy anëtarët e bendit Billy Gibbons dhe Frank Beard.

Këngëtari i Creedence Clearwater Revival, John Forgerty, përmes një tweet-e ka shkruar se “jemi thellësisht të lënduar nga lajmi i vdekjes së Dusty-t. Ishim të bekuar që ishim në skenë me të madhin Dusty dhe me “ZZ Top”-in, dhe nëse performancat me ta s’kanë qenë parajsë e rock and roll-it, s’di tjetër çka mund të jetë. Na është thyer zemra”.

Hill ka qenë pjesë e bendit ikonik dhe më karizmatik “ZZ Top” që nga viti 1971, gjë që e ka bërë bendit edhe një prej bendeve më stabile dhe më vllazërore të të gjithë muzikës botërore.

“Është një klishe dhe tingëllon e thjeshtëzuar, mirëpo jemi vetëm ne të tre që kënaqemi duke luajtur muzikën tonë. Ne e duam muzikën ende, dhe ende kënaqemi në skenë. Kemi lidhje të mjaftueshme me njëri tjetrin por edhe individualitetin tonë. ”, kishte thënë Dusty për revistën “Classic Rock 2010”.

Gjatë viteve të kaluar Hill kishte ndërmarrë një operacion dhe një lëndim në shpatulla. Bendi kishte anuluar disa performanca për këtë arsye.

Shkaku i vdekjes së Dusty Hill ende nuk është bërë i ditur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore