Lajme

Vdes i dyshuari për plagosjen e dy grave, tentoi t’i shmanget arrestimit duke i gjuajtur policët me armë zjarri


Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë që dyshohet se plagosi dy gra këtë të shtunë në Fushë Kosovë, ka vdekur. I dyshuari ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë në tentim për t’iu shmangur arrestimit, me ç‘rast dyshohet se ka bërë vetëvrasje.

“I dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre”, ka njoftuar policia.

“Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit”.

Sipas organeve të rendit, përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin.

“Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë”.

Ndërkaq të plagosurat janë dërguar për tretman mjekësor.

Plagosja e dy grave në Fushë Kosovë, Govori: Janë jashtë rrezikut për jetë, do t’i nënshtrohen operimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore