Lajme

Vdes 3 vjeçari nga Ferizaj që pësoi djegie pasi iu dogj shtëpia nga zjarri


Zjarr në shtëpinë e familjes Zekolli në Saraishtë të Ferizajt

Një fëmijë tre vjeçar ka ndërruar jetë në mesnatën e së hënës pasi nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të marra nga zjarri që kaploi shtëpinë e tij.

Sipas raporteve të zjarrfikësve dhe organeve të rendit rasti ka ndodhur të shtunën gjatë ditës, kur familjarët në fshatin Saraishtë të Ferizajt, po ushqeheshin në kohën e drekës, ndërsa fëmija ishte në dhomën e tij të gjumit.

Siç kanë treguar edhe familjarët, intervenimi i tyre ka ardhur pasi që kanë parë flakët e zjarrit në katin e sipërm.

Është dëgjuar duke qarë, por më pas është asfiksuar nga tymi që kishte në dhomë.

Si pasojë e flakëve të mëdha, fëmija kishte pësuar lëndime të rënda trupore duke iu djegur trupi mbi 75%.

Prindërit kanë arritur ta nxjerrin nga dhoma pas disa minutave, pasi që  dhoma ku fëmija kishte qenë në gjumë, ishte mbuluar nga tymi e flakët.

Fillimisht, fëmija i lënduar është dërguar në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor, por që pas disa ditëve nuk ka arritur t’i mbijetoj plagëve.

Shefi i klinikës Intensive, Shaqir Uka ka thënë për medie se tre vjeçari ka ndërruar jetë mbrëmë pas mesnate.

“S’ka mujt me iu përballu plagëve që i ka marrë nga djegiet, mbrëmë pas mesnatës, apo në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë” ka thënë ai për Indeksonline.

Fëmija ka pasur plagë në kokë dhe në ekstremitete, duar dhe këmbë, tregojnë mjekët.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrvënies, por dyshohet se zjarri u shkaktua si pasojë e mbingarkesës së me energji elektrike.

Aktualisht organet e rendit janë duke e hetuar rastin e kësaj familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore