Lajme

Vdekja e ushtarit të KFOR-it, Ristuccia: Zemra ime është me familjen dhe miqtë e tij


Gjeneralmajori italian dhe komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, e ka cilësuar si humbje të madhe vdekjen e një pjesëtari të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) i cili ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë të dielën.

“Me zemër të rëndë ju njoftojmë se dje nga shkaqe natyrale vdiq një pjesëtar ushtarak i misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO”, tha Ristuccia.

“Në emër të të gjithë ushtarëve të KFOR-it të NATO-s shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Zemra ime është për familjet dhe miqtë e ushtarit të ndjerë dhe për të gjithë kontingjentin polak të dislokuar në Kosovë”.

Ai ka shtuar se “NATO vajton humbjen e një ushtari dhe ne jemi këtu për të mbështetur të dashurit dhe miqtë e tij”.

“Ushtarët vazhdojnë misionin e tyre të guximshëm të mandatuar nga OKB-ja”, shtoi ai.

Të dielën, lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se për rastin janë njoftuar rreth orës 15:20.

Përkundër ofrimit të ndihmës së parë nga njësitet përkatëse, Veseli konfirmoi se ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe trupi i tij është transportuar me helikopter të KFOR-it.

“Ju njoftojmë se stafi mjekësor i Shtëpisë së Shëndetit në Shtërpcë dhe pjesëtarët e KFOR-it, në ora 16:30 kanë ndërprerë reanimimin, për shkak se nuk ka pasur shenja jete”, tha Veseli.

“Është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore