Shqipëria

Vdekja e Lear Kurtit mund të ishte parandaluar, thotë Avokati i Popullit


Vdekja e Lear Kurtit mund të ishte parandaluar.

Në këtë përfundim ka arritur Avokati i Popullit mbi çështjen e të riut, i cili më 19 tetor ndërroi jetë pas shoqërimit në komisariatin numër 3 të Policisë së kryeqytetit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga ky institucion, thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq.

“Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla shërbimet e policisë, mund ta parandalonin këtë ngjarje, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”.

Konkretisht Avokati i është referuar ligjit nr. 108/2014 për Policinë e Shtetit, neni 122 pika 1 dhe 2, ku përcaktohet se: masat mbrojtëse merren ndaj personit të sëmurë mendor, në gjendje të dehur, nën efektet e lëndëve narkotike ose ndaj personit me sëmundje ngjitëse të rënda.

Kështu, në këto raste, punonjësi i policisë e dërgon personin në ambientet e policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit ose e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës.

Punonjësi i policisë merr masat e nevojshme për mbrojtjen e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike ose të përbëjë rrezik për jetën e tij ose të të tjerëve.

Në konstatimet e Avokatit të Popullit rezulton se gjatë shoqërimit të Kurtit, nuk emri i tij nuk është evidentuar në regjistrin e të shoqëruarve në ambientet e komisariatit.

“Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit”.

Avokati i Popullit ka rekomanduar marrjen e masave për zbatimin efektiv të garancive ligjore të qytetarëve në lidhje me ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së tyre në momentet e para të shoqërimit nga Punonjësit e Policisë.

Po ashtu, marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të ushtruar kontroll në mënyrë të vijueshme në të gjitha strukturat vendore të policisë lidhur me zbatimin e kritereve të shoqërimit të shtetasve dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të shoqëruar.

Ekspertiza

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se vdekja e Lear Kurtit ka ardhur nga mbidoza e kokainës dhe jo nga akte të kundërligjshme të efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake”.

Kështu shkruhet në aktin e ekspertimit.

Më datë 24 tetor, organi hetimor njoftoi se ka hapur zyrtarisht një çështje për hetimin e ngjarjes, që lidhej me Kurtin.

Në terma të gjerë, procedimi penal ishte i lidhur me veprat penale “Kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënie ndihme”, kundrejt efektivëve dhe mjekëve të përfshirë në ngjarje.

Stafi mjekësor i QSUT-së, po ashtu, është marrë në pyetje lidhur me rastin.

Ekspertimi fillestar kimik është kryer nga një grup me pesë ekspertë, i cili ka konstatuar gjetjen e një qeseje me mbetje të lëndës narkotike kokainë, në stomakun e viktimës.

Kjo gjë, e shtyn organin hetimor të mendojë se Kurti ka gëlltitur qesen, gjatë kohës që ka qenë në ndjekje nga Policia, për rreth 200 metra, siç është bërë me dije më parë nga strukturat e rendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore