Shqipëria

Vdekja e katër rusëve në Qerret mbetet mister, pezullohen hetimet


Ish-prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë (Prokuroria e Durrësit) ka pezulluar të dielën e 28 majit hetimet për vdekjen e katër rusëve në Qerret.

Sipas raportimeve, shkak për këtë është bërë letërporosia nga autoritetet ruse të cilat nuk kanë kthyer asnjë përgjigje sa i takon të shkuarës së tyre.

Më 25 nëntor të vitit 2021 institucioni i drejtësisë do të regjistronte procedimin penal “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në lidhje me vdekjen e katër turistëve në ambientet e një hoteli në Qerret.

Më herët, vdekja e katërfishtë e shtetasve rusë ishte regjistruar nga ana e drejtësisë shqiptare si vepër penale e “vrasjes”.

Ambasada ruse në Shqipëri konfirmoi dhe identitetet e tyre, që kishin marrëdhënie familjare: Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov.

Autoritetet hetuese shtuan pistat e mundshme lidhur me shkaqet e vdekjes së tyre.

Ndërkohë detajet e reja të hetimit lidheshin me vendin ku dyshohet se turistët kanë ndërruar jetë.

Shtetasit rusë gjetën vdekjen në ambientet e pishinës dimërore të hotelit dhe jo në sauna, siç u raportua në fillim.

Dyshohet se përqendrimi i klorit ka qenë shumë i lartë, duke bërë që ata të asfiksohen dhe të gjejnë vdekjen.

Prokuroria po hetonte dhe mundësinë e helmimit të tyre. Ata një ditë para mbërritjes në Shqipëri, kishin drekuar në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

Grupi hetimor mori asokohe kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë. Gjithashtu u mat edhe cilësia e ajrit nga ekspertët.

Mediat e huaja, e mbi të gjitha ato ruse, e pasqyruan ngjarjen me kuriozitet. Ndër këto media, edhe ajo britanike, Daily Mail, e cila i kushtoi një artikull të veçantë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore