Lajme

Vazhdon sërish seanca plenare në Kuvendin e Kosovës


Pas situatës së tensionuar në Kuvendin e Kosovës, ku pati përplasje mes disa ministrave dhe deputetëve të opozitës, sërish ka nisur seanca plenare e Kuvendit.

Në vazhdimin e seancës morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata nga komunitetet, si dhe disa nga ministrat e Qeverisë Kurti, ndërsa partitë opozitare si, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë kthyer në seancën plenare.

Ndërkaq, në këtë pjesë të seancës sa i përket çështjes së mbajtjes së testit të arritshmërisë për klasat e nënta dhe atij të maturës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka treguar se që të dy testet do të mbahen duke respektuar masat anti-COVID.

“Duke qenë se mësimi po zhvillohet me prezencë fizike, do të organizojmë edhe testin e arritshmërisë edhe provimin e maturës. Ne tashmë kemi përcjellë rregullat e reja për mbajtjen e testit, prandaj dy testet do të administrohen duke respektuar masat anti COVID”, është shprehur ajo.

Seanca është ndërprerë për një kohë të caktuar dhe do të vazhdojë në orën 14:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore