Sport

Vata: Nuk na duhet një “bos” si Duka në FSHF, ai po e shkatërron futbollin, Reja është vetëm një viktimë e sistemit të instaluar nga ai


Ish-kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, ka hedhur akuza të rënda ndaj krerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Vata ka akuzuar kreun e FSHF-së, Armand Duka, lidhur me Kombëtaren, derisa ka thënë se trajneri aktual, Edi Reja, është vetëm një viktimë e radhës së sistemit të instaluar nga vetë Duka.

Ai tha se Shqipëria është me fat që ka në përbërje lojtarë si: Armando Broja, Kristjan Asllani, Marash Kumbulla apo edhe Ivan Balliu.

Ish-futbollisti i Celtic-ut tha se Shqipëria me këtë përbërje futbollistësh duhet të jetë konkurruese me ekipet e mëdha, e jo të jetë në këtë gjendje siç ishte në kohët e fundit.

“Shikoni, ne kemi një skuadër me djem të talentuar dhe me potencial të mjaftueshëm për t’u bërë një Kombëtare e rëndësishme në vazhdimësi”, theksoi ish-mbrojtësi kuqezi.

“Sigurisht, nuk jemi ne që mund të fitojmë kampionate botërore apo evropiane, por kemi lojtarë, që nëse dimë të organizohemi, duke pasur një klimë të mirë në skuadër, bëhemi të rëndësishëm mes atyre ekipeve që cilësohen kombëtare të vogla”, tha Vata.

Kombëtarja kuqezi nuk po kalon formë aspak të mirë në kohët e fundit dhe për këtë mossukses, Vata e akuzon direkt FSHF-në.

“Ajo që unë kuptoj në këtë situatë ku ndodhet Kombëtarja është se këtu nuk ka kimi të FSHF-së dhe stafit teknik me futbollistët. Mungoi kimia dhe kjo është diçka që nuk shkon. Aty ka një defekt shumë të madh të anës profesionale të lojtarëve”, thekson Vata.

“Është një hapësirë shumë e madhe që nuk mundet kurrë të jetë në një linjë. Ka nevojë për trajtim profesional, por nëse ndërtesa e FSHF-së është e mbushur me njerëz që janë produkt i nepotizmit dhe qokave, sigurisht që do të krijohen hendeqe të mëdha”.

“Ne si komb duhet të jemi krenar me futbollistët që kemi në dispozicion, sepse ata kanë arritur çdo gjë me mund, djersë dhe shumë sakrifica në klube të mëdha evropiane”.

“Por, nuk mund të jesh krenar për Armand Dukën, që është bërë president i FSHF-së me qoka dhe marifete të nepotizmit shqiptar”.

Vata më pas iu përgjigj pyetjeve se këto akuza i bazon në atë se Duka sillet sikur “bos” në futbollin shqiptar, ku përsëri akuzon atë se po shkatërron FSHF-në.

“Kur futem në internet, shikoj shpesh që presidenti i FSHF-së, i cili ka një kulturë shifrash apo shkollë numrash dhe llogarish, shpesh e shikoj që bën edhe analistin e ekipit kombëtar”.

“Shpesh ai bën edhe opinionistin e skuadrës. Pra, ai është ‘bosi’, sepse shqiptarët janë mësuar që vendimet merren vetëm nga Duka”.

“Mirëpo, futbolli shqiptar nuk ka nevojë për ‘bos’, por për një lider. Bosi e trajton punëtorin si skllav, ndërsa lideri e bën të ndihet si drejtor”.

“Me këtë dua të them, që futbollit shqiptar i duhen liderë, pasi edhe vetë kombi jonë nuk ka pasur kurrë liderë, por vetëm ‘bosa’. Në Shqipëri duan që të gjithë të kenë makinën më të mirë apo të kenë orën më të shtrenjtë”, thekson ish-futbollisti i Celtic-ut.

Ai tutje tha se sistemi i instaluar nga i pari i FSHF-së ka shkatërruar të ardhmen e shumë futbollistëve.

“Reja është viktima e radhës e sistemit të Dukës si trajner. Ai gaboi sepse nuk e kuptoi si funksionoi ky sistem ose ndoshta i pëlqeu ky realitet shqiptar”.

“Këtu faji komplet është i sistemit të ngritur, sepse ai të bën të suksesshëm ose të shkatërron ëndrrën. Mendoj që sistemi i Dukës ka shkatërruar të ardhmen e shumë futbollistëve që kanë lindur për t’u bërë të tillë”.

Ish-futbollisti kuqezi më pas u pyet se çfarë mendon për të ardhmen e ekipit kombëtar të Shqipërisë, derisa ai e ka përgjigjen e qartë.

“Nuk është problemi te trajneri, por te sistemi. Duhet ndryshuar komplet sistemi, sepse këta njerëz e kanë shkatërruar futbollin shqiptar”.

“Pasi të shkatërrohet ky sistem, duhet ndërtuar një i ri me njerëz kompetentë dhe me vlera, jo me ata që vijnë nga qokat apo ndërhyrjet politike. Kaq, është e thjeshtë. Nuk është shkencë”.

Pas barazimit të Shqipërisë ndaj Islandës, tifozët kuqezi shpërthyen duke shprehur pakënaqësinë ndaj futbollistëve.

Edhe për këtë gjë foli Vata, i cili tha se tifozët duhet të luftojnë për ta shkatërruar sistemin, e jo futbollistët.

“Nëse tifozët kanë pakënaqësi, të shkojnë dhe të shkatërrojnë sistemin. Ne si shtet jemi të falimentuar. Pa këta lojtarë ne nuk kemi Kombëtare.

“Jemi shumë me fat që kemi një brez të ri, që nuk e kanë eksperiencën e duhur për të qenë futbollistë shumë të rëndësishëm, por ama nëse dimë t’i menaxhojmë mirë dhe respektojmë vlerat e tyre, mund të marrim rezultate të mëdha në të ardhmen”.

“Këto djem sigurisht që mund të gabojnë dhe të kenë ditë të këqija, por nuk humben vlerat e tyre me një ndeshje dhe të harrohen nga tifozët. Jam gjithë kohën në mbështetje të këtyre futbollistëve dhe kundër këtij sistemi”.

Në fund Vata tha se nuk ka asgjë personale me Dukën, por sipas tij, dëmi që i pari i FSHF-së po ia bën futbollit shqiptar, është e papranueshme.

“Kush e lexon këtë intervistë ndoshta mendon se ju e keni personale me Dukën, edhe pse në fakt keni qenë ndër vite një nga kritikët më të mëdhenj të tij dhe menaxhimit që i ka bërë FSHF-së”.

“Dëmin që Duka më ka bërë si futbollist ja kam falur, sepse e kam trajtuar si amator në kohën kur unë luaja me Kombëtaren”.

“Ai e di shumë mirë si e kam menaxhuar unë situatën me Brigelin dhe ku ka gabuar Duka. Ndërsa, si trajner për një periudhë të shkurtër në Shqipëri, nuk ja kam falur dëmin që Duka më ka bërë, sepse ka qenë më i pjekur dhe me eksperiencë. Kam kuptuar që ka ndërtuar një futboll që shitet dhe blihet sipas qejfit. Ka instaluar një sistem me veset më të këqija”, tha mes tjerash Vata për “Panorama Sport”.

Kujtojmë që mbrojtësi Vata numëron 59 ndeshje zyrtare me Kombëtaren e Shqipërisë, ku ka arritur të shënojë pesë gola.

Ai e nisi karrierën te Vllaznia e Shkodrës, e më pas luajti edhe te Dinamo e Tiranës në Shqipëri, para se të transferohej në Francë te Le Mans, e më pas luajti edhe për Tours.

Ndërkaq, vitet më të mira të karrierës së tij i pati në Skoci te skuadra e Celtic-ut, ku Vata luajti gjatë katër sezoneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore