Kosova

Varianti i ri i COVID-19 edhe në Kosovë


Kosova është ndër vendet të cilat kanë konfirmuar raste të infektimit me variant të ri të COVID-19.

Tri mostra kanë rezultuar pozitive në infektim me variant të ri të COVID-19. Rezultati është konfirmuar në Universitetin “Charite” në Berlin – laborator referent i OBSH-së – në të cilin janë dërguar një numër prej 35 mostrash të rastësishme për testim.

Përveç Kosovës, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë vendet e rajonit në Ballkanin Perëndimor që kanë raportuar raste të konfirmuara të infektimit me variant të ri të COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, thotë se nuk ka vend për panik pas shfaqjes së parë të variantit britanik të Coronavirusit, por qytetarët duhet detyrimisht t’i respektojnë të gjitha masat parandaluese.

Ndërsa në Serbi, rasti i parë i konfirmuar me variantin e ri të COVID-19 është një grua e cila mbërriti nga Londra.

Pikërisht Mbretëria e Bashkuar është ndër vendet e para në të cilat është shfaqur varianti i ri i quajtur B.1.1.7 në shtator 2020.

Varianti në fjalë është shfaqur me një numër jashtëzakonisht të madh mutacionesh dhe tani është shumë i përhapur në Londër dhe Anglinë Juglindore.

Përveç këtij varianti, ekzistojnë edhe variante të tjera ndër të cilat janë varianti 1.351 i cili është shfaqur në Afrikën e Jugut në fillim të tetorit.

Edhe pse është shfaqur në mënyrë të pavarur nga varianti i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, ndan disa mutacione me të.

Ndërsa varianti tjetër është varianti P.1, i cili është shfaqur në Brazil. Ky variant përmban një sërë mutacionesh shtesë që mund të ndikojnë në aftësinë e tij për tu njohur nga antitrupat.

Monitorimi i ndryshimeve në virus nga ana e shkencëtarëve, si dhe analizat gjenetike të virusit, janë duke ndihmuar që të kuptohen se si ndryshimet në virus mund të ndikojnë në mënyrën e përhapjes së tij dhe çfarë ndodh me njerëzit që janë të infektuar me të.

Pasi që këto variante duket se përhapen më lehtë dhe më shpejt se variantet e tjera, ato mund të çojnë në më shumë raste të infektimit me COVID-19. Momentalisht, nuk ka asnjë dëshmi që këto variante shkaktojnë sëmundshmëri më të rëndë ose vdekshmëri më të lartë.

Në Shqipëri nuk ka raste të konfirmuara të infektimit me variant të ri. “Sa më e madhe përhapja e virusit, aq më e madhe mundësia që ai të krijojë mutacione” thotë mjeku infeksionist Arben Pilaca nga Tirana.

Por, a mbrojnë vaksinat nga këto variante?

Sipas Dr. Soumya Swaminathan, Drejtoreshë e Përgjithshme e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Indi, shumica e shkencëtarëve besojnë se vaksinat e aprovuara sigurojnë mbrojtje edhe kundër varianteve të tjera, sepse këto vaksina ofrojnë një reagim mjaft të gjerë të imunitetit, një mori antitrupash dhe reagime imune të ndërmjetësuara nga qelizat.

Disa ndryshime ose mutacione në virus nuk duhet t’i bëjnë këto vaksina të paefektshme. Në mundësinë që ndoshta këto vaksina janë më pak efektive ndaj njërit prej këtyre varianteve, do të jetë e mundur që të ndryshohet gjithashtu përbërja e antigjeneve dhe vaksinave shumë shpejt”, ka shpjeguar Soumya Swaminathan për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ndonëse në shumë vende përreth botës ka filluar vaksinimi kundër COVID-19, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vaksinimi ka filluar vetëm në Shqipëri dhe Serbi, ndërsa Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë marrë ende furnizime të ndonjë vaksine, raporton Reuters.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, përgjatë javës së tretë që ofrohet vaksinimi kundër COVID-19 është vaksinuar një numër rreth 632 personash, ndër ta mjekë, infermierë, laborantë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të këtij shërbimi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se janë kontaktuar doza vaksine kundër COVID-19 për 800 mijë qytetarë, duke bërë të ditur se janë parapaguar 2.9 milion dollarë për marrëveshjen me Pfizer, krahas parapagimit në instrumentin COVAX.

Në Serbi po ashtu është duke u ofruar shërbimi i vaksinimit. Kryeministrja Ana Brnabic në një deklaratë për gazetën e përditshme “Blic”, theksoi se vaksinimi do të bëhet në baza vullnetare dhe falas, e rrjedhimisht u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen pasi që kjo është mbrojtja më e mirë e shëndetit.

Ndërsa Kosova, ndonëse së fundmi ka konfirmuar lajmërimin e variantit të ri të COVID-19 në tri raste të infektimit, nuk planifikon të fillojë vaksinimin para muajit shkurt.

Në një konferencë për media, kryeministri në detyrë Avduallah Hoti ka treguar se Kosova planifikon që të vaksinojë 20 mijë qytetarë kundër COVID-19 brenda ditës pasi të arrijnë vaksinat e para në muajin shkurt.

Në strategjinë për vaksinimin e popullatës, Hoti tha se janë tri grupe që do t’u jepet prioritet për vaksinim: punonjësit dhe stafi shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe personat me rrezikshmëri të lartë.

Ai po ashtu tregoi se janë konkretizuar negociatat me kompaninë amerikane Pfizer për sigurimin e 535 mijë dozave të vaksinës dhe se është negociuar marrja e 600 mijë dozave të vaksinës nga Austria dhe programi COVAX i OBSH-së.

Ndërsa mediat në Kosovë kanë raportuar se Pfizer është në bisedime me Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes por që e njëjta nuk është nënshkruar ende.

Në bazë të statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i personave të infektuar me COVID-19, në mesatare, është rreth 300 në ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore