Shqipëria

Varhelyi zhvillon sot vizitën në Tiranë dhe Prishtinë


Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të zhvillojë sot në Tiranë dhe Prishtinë një vizitë zyrtare, në kuadër të ardhjes së dozave të vaksinës Pfizer, si donacion i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Komisioneri pritet të mbërrijë rreth orës 10:00 në Rinas, ku do të zhvillohet një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Në fund të vizitës, pritet të ketë edhe një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Vëmendja kryesore e vizitës do të jetë ajo e ndihmës së BE-së për fushatën e vaksinimit kundër Covid-19. Shqipëria është përftuesja e dytë më e madhe pas Bosnjës dhe Hercegovinës, për numër vaksinash.

Gjithsesi, disa çështje me rëndësi mund të fliten në takimet e Varhelyi-t me drejtuesit e lartë politikë në Shqipëri.

Në këto çështje, përfshihen edhe zgjedhjet e mbajtura së fundmi në vend. Opozita nuk i ka njohur ato, me pretendimet se janë vjedhur.

Pavarësisht kësaj, qëndrimi i BE-së ka qenë i qartë mbi fituesin e zgjedhjeve.

Një tjetër çështje që merr vëmendje, është ajo e integrimit evropian të Shqipërisë. Rruga shqiptare drejt BE-së, kalon edhe nga Maqedonia e Veriut.

Kjo e fundit ka edhe një veto nga Bullgaria, e cila nuk e lejon të hapë negociatat me unionin. Por, është bërë e qartë edhe më parë, se rruga e Shqipërisë është e njehsuar me atë të Maqedonisë së Veriut.

Një qëndrim i qartë i BE-së, ende nuk është dhënë mbi këtë çështje. Mbledhja e konferencës së parë ndërqeveritare, mund të jetë gjithashtu pjesë e çështjeve të shtruara në tryezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore