Lajme

Varhelyi: Shpresoj që BeH-së do t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, varet nga liderët politikë


“Shpresoj se Bosnje dhe Hercegovinës do t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarsim në Bashkimit Evropian në dhjetor”, tha komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili po qëndron në Sarajevë, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Ai u takua me anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviç, Zheljko Komshiç dhe Zheljko Cvijanoviç.

Sipas tij, vendimin për statusin kandidat e marrin vendet anëtare.

“Unë mendoj se jemi transparent, sepse rekomandimi ynë është i qartë. Rruga evropiane është e hapur, por priten rezultate nga BeH. Varet nga liderët politikë”, tha Varhelyi.

Ai theksoi se Komisioni Evropian “dëshiron të shohë rezultate të qarta që mund t’i raportohen Këshillit Evropian që mblidhet në dhjetor”.

Varhelyi përsëriti se Bosnja dhe Hercegovina duhet të zbatojnë 14 kushtet kryesore të vendosura nga Komisioni Evropian.

“Ne jemi në një moment të ri gjeopolitik të luftës në Ukrainë. Është në interesin tonë të forcojmë partneritetet tona. Ne presim që Presidenca e BeH-së ta bëjë procesin e integrimit evropian”.

Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviç, deklaroi se Bashkimi Evropian është i paplotë pa BeH-në.

“Takimi ishte inkurajues dhe kuptimplotë. Statusi ynë i kandidatit do të ishte një inkurajim për të gjithë njerëzit në Bosnje dhe Hercegovinë”, potencoi Beqiroviç.

Më 12 tetor, Komisioni Evropian rekomandoi që BeH t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim të plotë në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore