Shqipëria

Varhelyi: KE do të ndihmojë Ballkanin me vaksina


Këshilli i Evropës do të ndihmojë Ballkanin perëndimor me vaksina. Lajmin e ka bërë të ditur Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Për të siguruar frontin e bashkuar ndaj Covid-19 dhe qasjen e shpejtë në vakina, KE-ja do të ngrejë mekanizma dhe struktura provizore për t’i shpërndarë ato nëpërmjet vendeve anëtare”, shkruan ai në Twitter.

Varhelyi ka theksuar veçanërisht vëmendjen që do të ketë ndaj Ballkanit perëndimor.

Nuk ka pasur shpjegime ndërkohë për mënyrën se si do të funksionojë shpërndarja. “Mundësitë për distribuimin do të shihen më tej”, shpjegon komisioneri.

Ky lajm vjen pas kritikave që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë ndaj vendeve evropiane, mbi përjashtimin e Ballkanit nga skema e vaksinimit në Evropë. Ai ka pasur disa replika në distancë. Fillimisht, me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ky i fundit, iu përgjigj kritikave të Ramës, me faktin se BE-ja nuk ka qenë kurrë më pranë Shqipërisë se vitin e fundit. Ai përmendi gjithashtu ndihmat që BE-ja ka dhënë për tërmetin dhe pandeminë.

Rama pati deklarata të forta edhe ndaj vendeve të anëtare të unionit që ruajnë stoqe vaksinash dhe nuk ndihmojnë vendet më të vogla. Kjo shkaktoi një reagim nga Ambasada Franceze, e cila i cilësoi të pasakta deklaratat e Ramës. “Nuk mund të sulmohet një vend mik në këtë mënyrë kaq të hapur” shkruhej në deklaratë.

Tashmë KE-ja i hap rrugën furnizimit të Ballkanit me vaksina. Për t’u parë mbeten procedurat dhe sasia që do të shpërndahet./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore