Shqipëria

Varhelyi: Evropa gjithmonë krah Ballkanit, sidomos gjatë pandemisë


Ballkani perëndimor dhe situata e Covid-19, kanë qenë në vëmendje të konferencës së Këshillit të Punëve të Jashtme, të mbajtur virtualisht nga Bashkimi Evropian.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka theksuar ndihmën që Evropa duhet t’i japë Ballkanit. “Këshilli Evropian gjendet pranë partnerëve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Varhelyi në Twitter. “Ritheksoj nevojën e madhe për të siguruar vaksinimin e këtij rajoni”.

Sipas Varhelyi-t, shtetet e Ballkanit duhet të kenë të njëjtën mundësi me vendet e BE-së, për të siguruar vaksinat.

Replika të mëparshme ka pasur midis kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe komisionerit Varhelyi. Rama akuzonte BE-në se kishte bërë një diferencim të pa paranueshëm ndaj Ballkanit.

Këtij komenti, komisioneri Varhelyi, iu përgjigj më vonë, duke saktësuar se KE-ja do të ndihmonte Ballkanin në luftën ndaj Covid-it.

Varhelyi ka pasur edhe një takim direkt me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias. Ky takim midis tyre, përkon dhe me rinisjen e negociatave Greqi-Turqi, mbi çështjen e kufirit detar midis dy vendeve.

“Shkëmbim i mirë pikëpamjesh me ministrin grek Dendias”, bën me dije Varhelyi. “Diskutuam zhvillimet në Ballkan dhe çështjet e Mesdheut lindor. Theksuam gjithashtu nevojën për të qenë bashkë në luftën ndaj Covid-19.”

Vetë Dendias-i, ka cilësuar forcimin e bashkëpunimit evropian si shumë të rëndësishëm.

Varhelyi, gjatë konferencës së mbajtur, nuk ngurroi të thoshte fjalën e tij edhe për situatën në Rusi. “Jemi të shqetësuar për zhvillimet në lidhje me çështjen e Alexei Navalny”, thotë Varhelyi.

Rusia u përfshi në protesta të dhunshme në 23 janar. Mbi 3 mijë e 500 mbështetës të Navalny-t u arrestuan nga policia ruse./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore