Lajme

Varhelyi arsyeton Serbinë: Kur i kërkojmë diçka Beogradit, duhet ta kuptojmë pozicionin e tyre


Oliver Varhelyi

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në një intervistë të dhënë së fundmi për portalin e lajmeve “Euractiv”, ka argumentuar nevojën për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Union, kjo pas agresionit rus në Ukrainë.

Sipas Varhelyit, invazioni rus në Ukrainë ka treguar nevojën për të përshpejtuar procedurat e zgjerimit dhe rrjedhimit anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ndoshta është ndikimi i vetëm pozitiv i luftës së Rusisë në Ukrainë, sepse e kthjelloi diskutimin rreth zgjerimit si dhe kapacitetin absorbues të BE-së. Ne evropianët, tani jo vetëm e kuptojmë, por jemi gati ta realizojmë këtë, se Evropa nuk do të gëzojë siguri, stabilitet dhe prosperitet pa u integruar plotësisht Ballkani Perëndimor”, ka thënë Varhelyi.

Varhelyi në shpjegimin e tij, ka thënë se mungesa e oreksit për zgjerim brenda BE-së, ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me gabimet strategjike që ka bërë Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Juncker.

“Mos harroni, unë e mora përsipër detyrën nga një Komisioni Evropian i cili tha ‘jo zgjerimit’, dëmi u bë atje. Ajo që unë pres tani, dhe ajo që do të jetë një përgjegjësi e madhe për Komisionin Evropian, është se tani ekziston një vullnet i qartë politik, i cili nuk ishte gjithmonë i dukshëm”, ka shtuar ai.

Diplomati hungarez, gjatë intervistës ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Serbisë në Union, ani pse Beogradi nuk është bashkuar në sanksionet e BE-së në raport me Rusinë.

Ai duke relativizuar mos ndërmarrjen e asnjë mase politike e diplomatike ndaj agresionit Rus, ka thënë se BE-ja duke ta lejojë Serbinë të ndërmarrë hapa të vegjël reformash në rrugën e saj drejt unionit.

“Ne duam që Serbia të jetë aleati ynë, ne kemi nevojë që Serbia të solidarizohet me ne dhe të jetë në anën tonë, por ne gjithashtu duhet të kuptojmë pozicionin e tyre kur kërkojmë diçka prej Beogradit”, ka shpjeguar Varhelyi, i cili është përballur me kritika për përpjekjet e tij për të nxitur fushatën e Beogradit për anëtarësim në BE pavarësisht shqetësimeve për sundimin e ligjit.

“Ajo vjen me hapa të vegjël dhe ne duhet të lejojmë që këto hapa të ndodhin. Sepse nëse nuk e bëjmë, atëherë po shkaktojmë saktësisht të kundërtën e asaj që duam të arrijmë,” ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore