Në Mbretërinë e Bashkuar, dyqanet që u shesin ilegalisht vape fëmijëve janë një kërcënim i vërtetë në rrugët kryesore të biznesit në vend.
Sipas zyrtarëve të Standardeve Tregtare, qindra mijëra vape që shkelin ligjet aktuale janë sekuestruar.
Por vazhdon të mbetet shqetësimi për vape-t e lirë me ngjyra të ndezura që përfundojnë në duart e fëmijëve 12 dhe 13-vjeçar.
Ndaj qeveria e atjeshme ka bërë me dije se po shqyrton se çfarë mund të bëhet më shumë për të mbrojtur fëmijët.
Ekspertët e shëndetit të fëmijëve kanë thënë se tashmë janë “thellësisht të shqetësuar” nga rritja e numrit të fëmijëve dhe të rinjve që përdorin vape-t.
Dhe se, të dëgjohej se këto produkte mund të jenë gjithashtu të paligjshme dhe të parregulluara është “e tmerrshme”.
Në një sondazh me më shumë se 400 oficerë të Standardeve Tregtare, 60 për qind kanë thënë se shqetësimet e tyre kryesore ishin dyqanet që shesin vape të paligjshme.
Kjo pasi ato janë potencialisht të pasigurta dhe shitja e çdo produkti të tillë te fëmijët nën 18 vjeç është gjithashtu e paligjshme.
“Kur ekipet e Standardeve të Tregtisë bëjnë kontrolle në vend për shitjen e produkteve vape te fëmijët, zbulojmë se rreth një në tre biznese e shkelin ligjin”, ka treguar Duncan Stephenson, drejtor i punëve të jashtme në Institutin e Standardeve të Tregtisë Chartered.
Ai dëshiron dënime më të ashpra për këto biznese dhe një rishikim të mënyrës se si promovohen produkte të tilla.
Ligjet e Mbretërisë së Bashkuar kufizojnë sasinë e nikotinës dhe të lëngjeve elektronike që përmbajnë avujt.
Vitet e fundit, vape-t dhe cigaret elektronike kanë qenë një mënyrë e suksesshme për të ndihmuar shumë njerëz të lënë duhanin.
Por disa prej tyre përmbajnë nivele të larta të nikotinës, mbi sasinë e lejuar nga ligji.
Vetëm në veri-lindje të Anglisë, më shumë se 1.4 ton vape ilegale u sekuestruan nga dyqanet në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Kurse në Kent pati një rritje dramatike të produkteve të falsifikuara të konfiskuara në portet e Channel në dhjetor, me më shumë se 300 mijë që janë hequr.
Sipas rregullave të Mbretërisë së Bashkuar për vape-t, vetëm ata 18 vjeç e lart mund të blejnë vape ose cigare elektronike dhe disa përbërës si kafeina dhe taurina janë të ndaluara.
Ndërkohë, të gjitha cigaret elektronike dhe lëngjet elektronike që përmbajnë nikotinë duhet të certifikohen nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) përpara se të shiten.