Sport

Van Gaal mund të rikthehet nga pensioni, Portugalia është opsioni


Louis Van Gaal u tërhoq nga drejtimi i kombëtares së Holandës pas eliminimit në çerekfinalen e Kupës së Botës nga Argjentina.

71-vjeçari pritej t’i jepte fund karrierës së tij në rolin e trajnerit, megjithatë së fundmi mesa duket ekziston një alternativë që do ta bënte Van Gaal të mendohej sërish për tërheqjen e tij.

Fjala është për Portugalinë, të cilët janë në kërkim të një trajneri pas shkarkimit të Fernando Santos.

Vetë Van Gaal nuk e mohon se nëse mbërrin një ofertë nga Portugalia, atëherë do ta merrte seriozisht në konsideratë.

“Jam sërish në pension, por nëse më thërrasin atëherë do ta dëgjoja propozimin. Më shumë se kaq nuk mund të them tani”, u tha Van Gaal.

Kujtojmë se janë disa emra të njohur që po qarkullojnë si opsione për stolin e kombëtares së Portugalisë duke nisur nga Jose Mourinho (kjo pistë është e ndërlikuar për shkak të kontratës me Romën), si dhe Bruno Lage, ish-trajneri i Wolverhampton.

Sa i përket Van Gaal-it, ai e mori për herë të dytë drejtimin e kombëtares së tij në gusht të vitit të kaluar.

Në 20 ndeshje me Holandën, Van Gaal ka marrë 14 fitore, pesë barazime dhe humbjen me Argjentinën me penallti.

Së fundmi, tekniku 71-vjeçar kishte vuajtur nga kanceri në prostate, por rrëfeu që asnjë prej futbollistëve të tyre nuk e kishte ditur.

Van Gaal në të kaluarën e kishte udhëhequr Holandën edhe në dy raste të tjera. Nga korriku i vitit 2000 deri në nëntor të vitit 2001 dhe nga korriku i vitit 2012 deri në të njëjtin muaj të vitit 2014.

Ndërsa, sa i përket klubeve, ai në të kaluarën ka drejtuar Barcelonën, Bayern Munich, Ajax-in dhe AZ Alkmar-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore