Sport

Van Dijk: Villareal do jetë një sfidë shumë e vështirë për ne


Virgil van Dijk beson se Villarreali do të jetë një sfidë e vështirë për Liverpool-in në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Villarreal mahniti Bayern Munich-un në çerekfinale dhe do të kërkojë të shkaktojë edhe një herë përmbysje më 27 prill dhe 3 maj, kur do të takohet me Liverpool-in, të cilët po kalojnë një sezon shumë të mirë.

“Do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë”, tha Van Dijk.

“Mesfusha do të jetë kyçe, pasi Dani Parejo është shumë i mirë. Natyrisht Capoue po bën një punë shumë të mirë dhe tani Danjuma, të cilin e njoh nga ekipi kombëtar, po luan shumë mirë. Ata kanë të tjerë lojtarë shumë të mirë gjithashtu, si Pau Torres i cili është një lojtar i jashtëzakonshëm”.

“Do të duhet të përgatitemi dhe kur të jetë koha e duhur do të fokusohemi tek ata”.

“Do të jetë shumë e vështirë. Ata mposhtën Juventus-in, ata fituan kundër Bayern-it dhe ata duhet të besojnë se mund të na mundin. Ne do të japim gjithçka”, shtoi holandezi.

Nëse Liverpool-i mposht Villarreal-in, ata do të bëhen skuadra e parë angleze që do të konkurrojë në çdo ndeshje të mundshme në një sezon, pasi Reds fituan ndaj Manchester City në fundjavë për të arritur në finalen e FA Cup.

Van Dijk përsëriti fjalët e trajnerit të tij Jurgen Klopp, duke thënë se të fitojnë katër trofe është pothuajse e pamundur.

“Çdokush mund të ëndërrojë, por ne nuk folëm për këtë sepse u fokusuam në lojë”, shtoi Van Dijk.

“Le të ecim hap pas hapi. Ne mposhtëm Manchester City-n në gjysmëfinale të FA Cup dhe do të fokusohemi në finale kur të jetë koha e duhur, dhe e njëjta gjë për Villarreal-in në gjysmëfinalen e Champions League”, përfundoi Van Dijk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore