Sport

Van de Beek ndërron menaxherin për tu larguar nga Manchester United


Futbollisti i Manchester United, Donny van de Beek, ka ndërruar menaxherin e tij.

Arsyeja kryesore pse Van de Beek ndërroi përfaqësuesin e tij ligjor, është sepse ai me çdo kusht dëshiron të largohet nga Manchester United.

Menaxheri i ri i holandezit do të jetë Ali Dursun, i cili gjithashtu është edhe agjent i mesfushorit të Barcelonës, Frenkie de Jong.

Andaj, sipas gazetës katalanase, “Sport”, Vand de Beek është shumë pranë transferimit në Barcelonë.

Përveç kësaj, prania e Luuk de Jong dhe Memphis Depay e bën Barcelonën një destinacion shumë të dëshirueshëm për holandezët.

 

Me menaxherin Guido Albers, mesfushori 24-vjeçar nuk arriti të gjente një skuadër të re verën e kaluar dhe shpreson që Dursun t’i japë fund përvojës së tij aspak pozitive në “Old Trafford”.

Gjithashtu edhe drejtuesit e skuadrës së Barcelonës kishin shfaqur interesim për ish-futbollistin e Ajax-it, por në fund trajneri i Manchester-it, Solskjaer, nuk e dha dritën jeshile për të lënë të lirë futbollistin.

Kujtojmë që Van de Beek kishte shumë pak hapësira në formacionin e “djajve të kuq”, ku thuajse në të gjitha ndeshjet e Premier Ligës nuk ishte titullar.

Manchester United pagoi shumën e 40 milionë eurove për ta transferuar atë nga Ajax-i në verën e vitit të kaluar, ndërsa që nga ajo kohë, ai ka luajtur 39 takime në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhuruar dy asistime.

Për dallim me klubin nga Manchester-i, Van de Beek kishte shkëlqyer me klubin e Ajax-it, sidomos në Ligën e Kampionëve, çka bëri që shumë klube të mëdha evropiane të futeshin në garë për transferimin e tij.

Ai arriti të shënonte pesë gola dhe të dhuronte tre asistime në dy edicione në Champions, kurse në të gjitha garat realizoi 46 gola dhe dhuroi 39 asistime me fanellën e Ajax-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore