Sport

Van De Beek i hapur për një transferim në Real Madrid


Futbollisti i Manchester United, Donny Van de Beek, nuk po arrin assesi të gjejë hapësira në formacionin e Ole Gunnar Solkjaer.

Ai ishte shumë afër largimit nga Manchester-i në afatin e fundit kalimtar veror, me disa klube që ishin të interesuara për shërbimet e tij, por në fund ishin “djajtë e kuq” ata që nuk e lanë të lirë futbollistin.

Por, tani gjërat qëndrojnë ndryshe, pasi që trajneri i Real Madrid-it, Carlo Anchelotti, ka shprehur interesim për mesfushorin në fjalë.

Madje siç raportojnë mediat holandeze, edhe Van de Beek i ka kërkuar menaxherit të tij të studiojë një transferim të mundshëm në kryeqytetin spanjoll.

Drejtuesit e Real Madrid-it e duan mesfushorin 24-vjeçar në formën e huazimit me të drejtë blerje në verën e ardhshme, opsion ky që duket se drejtuesit e Manchester-it do ta pranojnë.

Kujtojmë që Manchester United e transferoi futbollistin në fjalë nga Ajaxi-i në verën e vitit të kaluar, për të cilin shpenzuan 39 milionë euro.

Mirëpo, ai asnjëherë nuk arriti të përshtatej me skemat e trajnerit Solskjaer, ku thuajse në të gjitha ndeshjet e Premier Ligës nuk ishte titullar.

Van de Beek ka zhvilluar në total 39 ndeshje me klubin anglez, prej të cilave ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhuruar dy asistime në të gjitha garat.

Për dallim me klubin nga Manchester-i, Van de Beek kishte shkëlqyer me klubin e Ajax-it, sidomos në e Ligën e Kampionëve, çka bëri që shumë klube të mëdha evropiane të futeshin në garë për transferimin e tij.

Ai arriti të shënonte pesë gola dhe të dhuronte tre asistime në dy edicione në Champions, kurse në të gjitha garat realizoi 46 gola dhe dhuroi 39 asistime me fanellën e Ajax-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore