Sport

Valmir Veliu përfundon në radarin e gjigantit turk


Futbollisti i klubit të Llapit, Valmir Veliu, ka përfunduar në radarin e klubit turk, Trabzonspor.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Turqi, drejtuesit e klubit të Trabzonspor-it kanë nisur bisedimet me menaxherin e futbollistit kosovar, Rahman Keçe.

Interesim për sulmuesin anësor kishte shprehur edhe klubi tjetër nga Turqia, Galatasaray, por së fundmi negociatat mes tyre nuk kanë vazhduar.

Kujtojmë që klubi i Trabzonspor-it po kalon momente fantastike në Ligën e Turqisë, të cilët i prijnë tabelës me 49 pikë, 10 më shumë se vendi i dytë, Konyaspor.

Sa i përket Veliut, ai këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Llapit, i cili në 18 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar po aq asistime.

Ai gjithashtu ka një paraqitje me kombëtaren A të Kosovës, ndërsa te grupmoshat U21 të Dardanëve, Veliu ka regjistruar tetë paraqitje, ku ka gjetur rrugën e rrjetës në një rast.

21 vjeçari, vlera e të cilit llogaritet rreth 400 mijë euro, së fundmi është zgjedhur edhe në formacionin më të mirë të vitit nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore