Kosova

Valdete Daka, deklaron se ndihet e kërcënuar


Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, Valdete Daka, në një konferencë të mbajtur për media, të enjten, deklaroi se ndihet e kërcënuar, nga kandidatët për deputetë, të cilën nuk do të certifikohen në zgjedhjet e 14-shkurtit, në Kosovë.

Këta kandidatë nuk do të certifikohen nga KQZ-ja, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë aktakuzë në tre vitet e fundit.

Daka, deklaroi se akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit.

“Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme”.

 Ajo u bëri me dije kandidatëve të cilët nuk do të certifikohen, pasi nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk ua mundëson kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar. Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.

Sipas saj, çdo person që e mendon këtë vendim si të padrejtë, mund të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ose në Gjykatën Supreme.

“I ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe nga akuzat dhe të respektojnë vendimet, e të na lejojnë të bëjmë punën tonë bazuar në ligj e në kushtetutë”.

Kjo deklaratë e Dakës, erdhi pasi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, e akuzoi, të mërkurën, se dëshiron eliminimin politik të Albin Kurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore