Lajme

Vala e vdekjeve të të famshmëve në Kinë ngjall dyshime mbi numrin aktual


Në Kinë, një sërë vdekjesh mes të famshmëve dhe figurave publike ka ngjallur shqetësime se numri aktual i vdekjeve nga COVID-i mund të jetë shumë më i lartë nga sa raportojnë autoritetet.

Ndër to është edhe vdekja e aktorit Gong Jintang, i cili vdiq në moshën 83-vjeçare në ditën e Vitit të Ri. Ai ishte i njohur për portretizimin e Atit Kang në serialin “Kang’s Family”, i cili u transmetua për herë të parë në vitin 2000.

Vdekja e tij u raportua nga mediat lokale, por shkaku i vdekjes ishte i paqartë.

“Jam shumë i mërzitur. Gong përfaqëson kujtesën tonë për dy breza”, ka thënë dikush në Weibo, platformën kineze të mediave sociale.

Muajin e kaluar, fansat e operës në Pekin u tronditën nga vdekja e papritur e Chu Lanlan, një soprano 40-vjeçare që performoi gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit 2008.

Një nekrologji e lëshuar nga Kolegji i Arteve të Operas së Pekinit ka bërë me dije se Chu, e cila jepte mësim në institucion, vdiq nga sëmundja.

Sakaq, familjarët e saj janë shprehur të pikëlluar nga vdekja, por nuk kanë dhënë hollësi për shkakun e vdekjes.

Muajin e kaluar, Kina i ka lehtësuar kufizimet e saj zero-COVID, duke çuar në një rritje të infektimeve, me spitalet dhe krematoriumet të mbingarkuar shpejt.

Po ashtu në fund të dhjetorit, Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës ndaloi publikimin e të dhënave ditore të rasteve me COVID.

Në fillim të kësaj jave, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar përkufizimin “shumë të ngushtë” të Kinës për vdekjet nga COVID, duke paralajmëruar se statistikat zyrtare nuk po tregonin ndikimin e vërtetë të përhapjes.

Atje janë regjistruar vetëm 22 vdekje nga COVID-i që nga dhjetori dhe janë ngushtuar në mënyrë dramatike kriteret për klasifikimin e viktimave.

Çka nënkupton se statistikat e vetë Pekinit për valën e paprecedentë shihen gjerësisht se nuk pasqyrojnë realitetin.

Dhe vdekjet e fundit të figurave publike si Gong dhe Chu kanë bërë që shumë në Kinë të vënë në dyshim të dhënat zyrtare.

“Pavarësisht nëse janë akademikë apo njerëz të famshëm …ose të afërmit dhe miqtë e mi, me të vërtetë ndjej se shumë njerëz kanë vdekur, por ekspertët vazhdojnë të thonë se nuk ishte kështu”, ka thënë dikush tjetër.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore