Shqipëria

Vajza e klisheve të reklamave


Ajo… vajza, gruaja.

E përkushtuar e në rebelim njëherazi, s’po duket në minutat e cunguara të reklamave televizive.

Ngado trupi i saj i hajthëm, por kund rrëfimi. Ngado joshja e çastit, por kund historia.

Ngado… tjetër.

Me dukjen e përgjysmuar që fsheh vajzën dhe gruan që pret, vajzën dhe gruan e minutave të jetës.

Rrjedhë që s’ndalet

Specialistja e komunikimit, Iris Bozgo, ka ndarë me Albanian Post gjetjet e një kërkimi të fundit, ku ka rezultuar se vajza dhe gruaja e paraqitur nëpër reklama televizive, nuk është vajza dhe gruaja që njohim.

“Ndër vite, figura e gruas dhe stereotipet e lidhura me të, nuk kanë ndryshuar. Imazhet e vajzave dhe grave në televizion janë po të njëjtat që kanë qenë për dekada të tëra”, tregon ajo.

Kjo, edhe pse ka kohë që flitet për barazi në mënyrën sesi gruaja duhet të trajtohet apo shihet.

Prandaj, dhe ajo i etiketon si “klishe”.

Sipas Bozgos, “reklamat e transmetuara në kanalet kryesore televizive në vend, vazhdojnë ta trajtojnë figurën e gruas në kornizat stereotipike… gruaja e ka vendin në shtëpi pranë produkteve ushqimore apo detergjenteve”.

Dhe se, pavarësisht ndryshimeve në qëndrimet e shoqërisë për ndarjen e roleve brenda një familjeje, mbetet një stereotip i qëndrueshëm dhe i natyrshëm që nënat duhet të jenë përgjegjëset e shtëpisë.

“Paçka ekspertizës në fusha të ndryshme që gratë dhe vajzat mund të posedojnë, në reklama vazhdon që ekspertiza e tyre të jetë e kufizuar në konsumin dhe në sferën e brendshme të jetës familjare”, dallon specialistja.

Referuar kërkimit të saj, në pjesën më të madhe të kohës, vajzat dhe gratë identifikohen me role sakrifikuese, ku janë ato që duhet të kushtojnë jetën dhe kohën e tyre për fëmijën dhe familjen.

Por nuk mbaron me kaq. Është edhe objektivizmi i figurës së tyre.

“Reklamat po shesin ideale false, të cilat krijojnë një lloj të ri të gruaje që nuk është në botën reale”, veçon Bozgo.

Shpesh, “gratë shihen si objekte seksuale çka përdoret për të tërhequr vëmendjen, duke shfaqur pjesë të ndryshme të trupit të tyre për të promovuar produkte, por ky lloj reklamimi e zhvesh gruan nga vlerat njerëzore”.

Madje-madje, edhe nëse nuk janë në rolin e shtëpiakes, janë në role seksuale dhe tërheqëse ku shfaqen me linja të holla, përherë të bukura.

Prandaj dhe shfaqen sensuale, në poza tërheqëse dhe kryesisht me bikini ose rroba pas trupit për të shfaqur më mirë format e tyre, shton ajo.

“Është vërejtur se ka pasur edhe stereotipe të lidhura me ngjyrat që gratë dhe burrat përdorin më shumë. E kuqja shoqërohet më shpesh me figurën femërore… ngjyrat e ndezura gjenden kryesisht te protagonistet gra, kurse ato më të errëtat te burrat”, shpjegon Bozgo.

Gjithashtu janë vënë re diferenca në aspektin vokal, ku më shpesh përdoret zëri i burrave edhe në reklama, ku protagonistet mund të jenë vetëm gra.

Ajo tregon se “zakonisht, zëri i burrave është përdorur në aspektet udhëheqëse ku i tregon gruas se çfarë duhet të bëjë apo sesi duhet ta bëjë. Ndërsa zërat e grave janë përdorur për të bërë zërin e mamave ose eksperteve të kuzhinës”.

Specialistja është e mendimit se, paçka synimeve që kanë gratë, ato mbeten ende të portretizuara sikur duhet të jenë në shtëpi dhe të kujdesen për familjen, ose të jenë të bukura dhe tërheqëse për burrat.

“Sado që në jetën reale ato përpiqen të bëjnë hapa para, në realitetin e reklamave televizive ato bëjnë hapa pas, duke normalizuar stereotipe që dëshmojnë pabarazinë midis grave dhe burrave”, përmbyll Bozgo.

Dhe për të, këto reklama të shfaqura në ekranet shqiptare janë pasqyrë e ndarjes së roleve gjinore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore