Libra

Utopia në Qytetin e Diellit


Qyteti i Diellit -Ilustrim

Tomazo Companela është përkujdesur që veprën Qyteti i Diellit ta strukturojë në formë të bashkëbisedimit mes dy personazheve; nga njëra anë kalorësi i Spitalorëve të Shën Gjonit [shek. XII në Jerusalem] dhe në anën tjetër një marinar gjenovez i cili kishte realizuar shumë vizita gjithandej botës, përfshi edhe udhëtimin në një ujdhesë në Oqeanin Indian, Taprobana.

Cejloni i sotëm konsiderohet se është ujdhesa e Taprobana-s.

Shpejtësia e bashkëbisedimit mes dy personazheve dhe informacioni rreth Qytetit të Diellit që shkëmbehet mes tyre, janë dy karakteristikat kryesore që e përcjellin tërë veprën.

Në bisedë e sipër mes tyre paraqitet një shoqëri utopike e cila rregullohet nga racionaliteti dhe nga arsyeja.

Pra, në këtë qytet mungon në tërësi padrejtësia, varfëria, korrupsioni dhe e keqja. Aty mbretëron rregulli e rendi, shëndeti e përsosmëria, ndërsa banorët e Qytetit të Diellit quhen, sipas tyre, solarian.

Sistemi i meritokracisë është ajo çka e karakterizon këtë qytet utopik, ku pozicionet e fuqisë karakterizohen nga aftësia dhe përsosmëria.

Nga ana tjetër as gjinia e as klasa shoqërore nuk shpërfaqen në bashkëbisedim si pozicione drejtuese të qytetit.

Vlera më të madhe brenda qytetit është dija.

Qyteti i Diellit-Ilustrim

Paria [udhëheqësia/menaxhmenti] e Qytetit të Diellit zgjidhet sipas një rregulli të caktuar; pra sipas asaj se cili individ arrin të mësojë më shumë aftësi dhe t’i praktikojë ato, pavarësisht se të gjitha dijet e shkencave i kanë përbrenda një libri të vetëm.

Fisnikëria brenda Qytetit të Diellit vlerësohet shumë, rrjedhimisht punëtorët janë më fisnikët.

Qyteti i Diellit ka një organizim brilant, si të kryerjes/bërjes së punëve, po ashtu edhe sa i përket sigurisë e lirisë.

Në qendër të qytetit, përkatësisht në maje të tij, ndodhet një tempull i lavdishëm. Nga ai tempull qeveriset qyteti, ngase aty ndodhet ajka e shoqërisë dhe dijes.

Jetëgjatësia e banorëve të Qyteti të Diellit arrin në mbi 100 vjeç e kjo ndodh si rezultat i harmonisë së plotë mes banorëve. Harmonia e tyre bën që në qytet të mos ketë varfëri, pra, Qyteti i Diellit karakterizohet edhe nga mungesa e varfërisë.

Dashuria e dy personazheve ndaj dialogut nuk i lë ata të distancohen.

Utopia e Qytetit të Diellit duket se ka një ndikim të fuqishëm nga rregulli i polis-it të Platonit dhe nga Utopia e Thomas More-it.

Ky qytet utopik i Companela-s është përshkruar nga ai si një “revansh” ndaj gjendjes politike të Italisë së asaj kohe, pra, Italisë që ishte zhytur në korrupsion, në varfëri, në një kaos total duke humbur në tërësi vlerat dhe vet lirinë.

Inkuzicioni i kishte marr lirinë edhe Companela-s, andaj ai kishte reflektuar në mungesë të lirisë, për liri e për rend dhe për një vend që ofron siguri e barazi për qytetarët e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore