Shqipëria

UT propozon planin e provimeve online


Në përfundimin e semestrit të parë, në shumë Fakultete të vendit, Universiteti i Tiranës (UT) ka hartuar një propozim për zhvillimin e sezonit të provimeve online.

Bordi i UT-së hartuar një rregullore për zhvillimin e provimeve në mënyrë që të evitojnë grumbullimet e studentëve nëpër auditore. Në rregullore është parashikuar që provimet të bëhen online, me gojë dhe të regjistrohen.

Komiteti Teknik i Ekspertëve  do të vendosë nëse propozimi do të miratohet apo jo.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Arsimit është në komunikim të vazhdueshëm me ekspertët e Komitetit.

Universieti i Tiranës ka marrë masat që studentët të mund të përfundojnë sezonin e provimeve të dimrit brenda afatit të parashikuar.

“Në kontekstin e zhvillimit të mësimit në distancë, Universieti i Tiranës ka marrë masat që të zhvillojë provimet në distancë, elektronikisht, online dhe studentët të mund të përfundojnë sezonin e provimeve të dimrit brenda afatit të parashikuar”.

Sipas propozimit, për çdo provim online caktohen dy data të njëpasnjëshme. Kjo, për t’i krijuar mundësi provimi studentëve të cilët mund të kenë probleme teknike apo shëndeti në datën e parë.

Bordi i UT-së ka propozuar “Microsoft Teams” si platformën që do të bëhen provimet online.

Rregulla për pedagogët.

Sipas propozimit nga UT-ja, pedagogët duhet të njoftojnë studentët “për procedurën e provimit elektronik, online 10 ditë para përfundimit të mësimit në distancë”.

“Pedagogu përgatit pyetje, kërkesa dhe detyra të tilla për provim, që të garantojnë vlefshmërinë e vlerësimit”, thotë bordi.

Gjithashtu, parashikohet edhe kohëzgjatja e provimeve.

“Si rregull kohëzgjatja e provimit me gojë do të jetë 10-15 minuta, për testin me shkrim online 1-2 orë, për provimin e kryer nga shtëpia 2-3 orë”.

Pedagogu nuk duhet të pranojë provime të dërguara pas afatit të caktuar.

Rregulla për studentët.

Sipas propozimit, studentët nuk bejnë regjistrim individual për provimin.

“Të gjithë studentët që kanë ndjekur mësimin online, që kanë riprovime dhe provime të mbartura do të regjistrohen në procesverbalet e provimeve nga sekretaria mësimore”.

Edhe pse do të jenë dy data për provim, studenti do të marrë pjesë vetëm në njërën datë.

Pas përfundimit të provimit, studenti duhet të ruajë të gjitha përgjigjet dhe punimet. Ai duhet t’ia dërgojë, me e-mail, profesorit brenda orarit të caktuar.

Propozimi udhëzon studentin që nëse do të ketë probleme teknike me lidhjen, duhet të njoftojë menjëherë pedagogun me e-mail.

Përsa i përket vlerësimit të provimit, studenti do e marrë përgjigjen brenda 5 ditësh, nga pedagogu i lëndës.

Nëse nga studenti konsistohet vlerësimi i padrejtë, ai mund të ankohet për procedurën dhe rezultatin e provimit sipas rregullit në fuqi.

Studenti është i detyruar të paraqesë kartën e tij të identitetit pedagogut/komisionit, dy ditë para provimit.

Rregulla për sekretarinë mësimore.

“Sekretaria mësimore përgatit procesverbalet e provimeve duke i regjistruar për provim në një procesverbal të gjithë studentët që ndjekin programin rregullisht dhe ata që kanë riprovim ose provim të mbartur”.

Per provimin e diplomës, propozimi thotë që do të përgatitet një procesverbal i veçantë.

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore