Lajme

“Ushtria mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë”, përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Serbi


Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Serbe, ku është njoftuar se “forcat e armatosura të Serbisë mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake deri në njoftimin e dytë”, e kjo sipas tyre për shkak të “përdorimit brutal të forcës nga Albin Kurti dhe forcat e tij kundër popullit serb në Kosovë”, pas asistencës së Policisë së Kosovës për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

“Gjatë takimit u ranë dakord për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Serbisë. U theksua se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk e ka kryer punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca serbe.

Aty bëhet me dije se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, është i autorizuar të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me komandantin e KFOR-it”.

“Në përpjekje për të siguruar që misioni të përmbushë funksionin dhe mandatin e tij, në përputhje me aktet përkatëse të OKB-së dhe të mbrojë serbët në Kosovë.

Ndërsa, pas seancës presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shkroi në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram”, se “Republika e Serbisë do të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”.

Në seancën e Këshillit të Sigurisë Serbe, morën pjesë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, ministri i Jashtëm dhe sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare serbe Ivica Daçiç, Ministri i Mbrojtjes serbe, Millosh Vuçeviç, Ministri i Brendshëm Bratislav Gashiç, drejtori i BIA-s, Aleksandër Vulin.

Po ashtu, prezent ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç, Ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviç, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, prokurorja Zagorka Dolovac, shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliç dhe kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë, Vladimir Orliç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore