Lajme

Ushtarët e Gardës Kombëtare të Virxhinias nderohen para dislokimit në Kosovë


Ilustrim

Përmes një ceremonie ushtarake, anëtarët e Gardës Kombëtare të Virxhinias në Shtetet Bashkuara të Amerikës të dielën e tre janarit janë nderuar para dislokimit të tyre për të shërbyer në Kosovë.

140 oficer ushtarak me bazë në Sandston të regjimentit 224 të Aviacionit, divizonit 29-të të Këmbësorisë do të shërbejnë si grup pune në kuadër të KFOR-it në Kosovë, për të dhënë ekspertizën e tyre në fushën e aviacionit.

“Ne do të punojmë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, ndërkohë që dialogu i shëndetshëm politik në mes të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë”, ka thënë nënkoloneli i batalionit Craig Lewis, raporton mediumi amerikan WTVR-TV.

“Ushtarët e këtij batalioni janë të emocionuar për misionin, është një mundësi unike për të shërbyer NATO-s”, ka shtuar Lewis.

Dislokimi, i cili pritet të zgjasë afërsisht një vjet, është mobilizimi i katërt federal i detyrës aktive për regjimentin 224 të Aviacionit.

Ndryshe njësia e evakuimit mjekësor të kësaj brigade më parë kishte shërbyer në Kosovë nga janari deri në nëntor të vitit 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore