Shqipëria

Ushtaraku për Ushtarakun – Kosova është mirë, kur është mirë Shqipëria


Bajram Begaj dhe Armend Mehaj

Ministrit të Mbrojtës së Kosovës, Armend Mehaj, ushtarak me profesion, i është bërë shumë qejfi që një gjeneral ushtrie është zgjedhur president i Shqipërisë.

Mehaj ka ndarë fotografi me Bajram Begajn, në llogarinë  e tij në Facebook, duke kujtuar kohën e bashkëpunimit me të në fushën e sigurisë.

“Lajm i mrekullueshëm”, shkruan Mehaj, “Gjeneral Bajram Begaj zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë”.

“Përgjatë 15 muaj të punës së përbashkët me Gjeneral Begajn, kemi realizuar shumë aktivitete në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak mes forcave tona”.

“Besojmë shumë se tani edhe nga pozita e Presidentit dhe  Komandantit Suprem te Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me President Begaj do të vazhdojmë edhe më fuqishëm drejt objektivave të përbashkëta mes dy vendeve tona”.

Mehaj ka përfunduar postimin e tij duke shkruar se “bashkëpunimi vëllazëror është misioni ynë i shenjtë, sepse Kosova është mirë kur është mirë Shqipëria”.

 

Bajram Begaj dhe Armend Mehaj
Kush është Bajram Begaj

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.

Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore