
Klubi i Trepçës’89 ka reaguar me anë të një postimi në Facebook lidhur me ngjarjet e sotme në xhiron e fundit të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Mitrovicasit e kanë fajësuar Federatën e Futbollit të Kosovës, sipas të cilëve FFK-ja po i ndihmon klubet që janë të lidhura me të.
Reagimi i KF Trepçës’89 pa ndërhyrje:
Pas mbarimit të ndeshjes së sotshme Kryesia e KF Trepça ’89 FC mbajti takim urgjent dhe del me këtë deklaratë.
Së pari urojmë FFK-në për skandalin e sotshëm ku pa kurrfarë marre dirigjon ndeshjen dhe ndikon direkt në rezultat.
U panë sot dashakëqijtë e futbollit se si e bastarduan futbollin, se si mbrojti FFK-ja klubet servile të saj, ato klube që e përkrahën gjatë Kuvendit të fundit zgjedhor.
Nuk është fundi i botës që bie Trepça’89 nga Superliga por duhet ta dinë se nuk luhet me ndjenjat e një klubi ndër më të organizuarat në futbollin kosovar tash e më shumë se tridhjetë vite.
Kjo çka ndodhi në Ferizaj është fytyra e vërtetë e kësaj Federate.
Kështu është uzurpuar ky institucion.
Marre i koftë Komitetit Ekzekutiv, si e ndjejnë vetën ata sot. Si kanë fytyrë të ballafaqohen me familjarë të tyre, shoqërisë, por për ata fjala marre nuk ekziston sepse ata marren e hanë me bukë.
Përmes kësaj deklarate ju kërkojmë falje sportdashësve mitrovicas por jemi klub me traditë dhe do të kthehemi edhe më të fortë.
Çfarë ndodhi në xhiron e fundit:
Xhiroja e fundit e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll prodhoi polemika të shumta në fundin e ndeshjeve.
Më konkretisht, në ndeshjet që përcaktonin ekipin që do të mbetej në barazh, ndodhën disa skena të çuditshme.
Trepça’89 shënoi fitore me rikthim ndaj Prishtinës, ku golat e fitores u shënuan në minutën e 85-të dhe pas minutës së 90-të, derisa ishin akorduar nëntë minuta shtesë.
Në ato momente, Ferizaj ishte duke humbur ndaj Dukagjinit, rezultat ky që e poziciononte Trepçën në vend te tetë apo në zonën e barazhit.
Por, në ndeshjen mes Ferizajt dhe Dukagjinit ishin akorduar 17 minuta shtesë.
Në minutën e 15-të shtesë, Ferizaj e shënoi golin e fitores, gol ky që solli reagime të shumta, pas reagimit të ngathët, apo të çuditshëm të portierit të Dukagjinit, Atik Muhaxhirit.
Kjo bëri që Ferizaj të merrte pikët e plota dhe në këtë mënyrë, Trepça’89 bie direkt nga Superliga në vendin e parafundit, së bashku me Drenicën e vendit të fundit.
Ndërkohë, Ferizaj do ta ketë edhe një mundësi për të mbetur në elitën e futbollit kosovar, derisa në ndeshjen e barazhit do të ballafaqohet me Lirinë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Policia e Kosovës, për pak ditë, e shpëtoi shtetin dhe Albinin
-
Rama thotë se tashmë priten veç frytet nga Procesi i Berlinit
-
Mbi 13 mijë armenë janë larguar tashmë nga Nagorno-Karabakh
-
“Duhet hetim i plotë, si u futën 30 terroristë kaq të armatosur në Kosovë”, Buhler dhe Shea komentojnë sulmin në Veri