Aplikacione

Urdhër Uber-it të rikthejë shoferët në punë


Kompania transportuese, Uber, është urdhëruar të rikthejë në vendin e punës pesë shoferë britanikë, të cilët u prekën nga aplikacioni i saj i teknologjisë së robotizuar.

E përditshmja, The Guardian, zbulon se pesë shoferët e kompanisë u mbështetën nga Unioni i Shoferëve dhe Korrierëve (ADCU) dhe kanë argumentuar se ishin akuzuar gabimisht për veprimtari mashtruese bazuar në informacione të rreme të ardhura nga teknologjia e Uber-it.

Ata kanë thënë gjithashtu se kompania nuk kishte arritur të siguronte drejtuesit në provat e duhura për të mbështetur pretendimet.

Gjykata e rrethit të Amsterdam-it, ku ndodhet edhe selia evropiane e Uber-it, ka thënë gjatë gjykimit se aplikacioni i udhëtimit duhet të rikthejë në vendin e punë pesë shoferët britanikë.

Përpos rikthimit të tyre në vendin e punës, Uber-i duhet të paguajë edhe një gjobë të vënë nga gjykata, e cila kap shifrën 5 mijë euro. Kjo për çdo ditë që kishte kaluar dhe që kompania nuk kishte zbatuar urdhrin e rikthimit të shoferëve në punë çka mund të shkojë nga 50 mijë euro deri në afro 100 mijë euro maksimumi për dëmshpërblim.

Një prej shoferëve, Abdifatah Abdalla, i cili ndodhet në Londër, është shprehur se ka vozitur për kompaninë Uber që prej vitit 2014 dhe kishte realizuar më shumë se 7 mijë udhëtime para se të pushohej nga puna në muajin shtator.

Ai tregon se përjashtimi nga aplikacioni Uber është realizuar përmes një mesazhi informues për shkak të “shqetësimeve të sigurisë lidhur me ndarjen e llogarisë”.

Ndërkohë, nuk ju dha asnjë provë përveç theksimit se “vendimi është përfundimtar”.

Pushimi nga puna i Abdalla-ut pati edhe pasoja të tjera. Në muajin tetor ai humbi licencën e tij të qirasë private nga Transporti për Londrën (TfL) dhe nuk ishte më në gjendje të punonte për dy aplikacionet e tjera për të cilat ai punonte, Kapten dhe Bolt.

Sipas TfL-së, arsyetimi i kompanisë për pushimin nga puna të Abdalla-ut ishte për shkak se ishin gjetur dy pajisje që ishin provuar të hynin në llogarinë e tij brenda disa minutash. Këto ishin në dy vende të ndryshme me një distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra.

Kjo do të thoshte që dikush tjetër përveç Abdalla-ut kishte qenë duke u përpjekur të përdorte llogarinë e tij. Mirëpo, vetë shoferi ka deklaruar se nuk i ka treguar detajet e tij të aplikacionit.

Nga ana tjetër, Gjykata e Magjistraturës në Londër ka urdhëruar TfL-në të rivendosë licencën për punësim privat të shoferit.

Vëtë Uber-i ka thënë se ishte duke aplikuar që vendimi i gjykatës së Amsterdam-it të hiqej. Kjo pasi kompania nuk ka qenë në dijeni të çështjes deri javën e kaluar. Gjithashtu ka pretenduar se procedura nuk ishte ndjekur në mënyrë të saktë.

“Uber-i u bë me dije për këtë gjykim të parazgjedhur vetëm gjatë javës së kaluar, për shkak të përfaqësuesve të ADCU-së që nuk kanë ndjekur procedurën e duhur ligjore. Pa dijeni për çështjen, gjykata dha një aktgjykim të paracaktuar në mungesë, i cili ishte automatik dhe nuk u mor në konsideratë”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.

Ka reaguar edhe një zëdhënës i TfL-së.

“Siguria e publikut që udhëton është përparësia jonë kryesore dhe kur ne njoftohemi për raste të mashtrimit me identitetin e shoferit, ne ndërmarrim veprime të menjëhershme të licencimit në mënyrë që siguria e pasagjerëve të mos cenohet”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka shtuar se “ne kërkojmë përherë prova pas vendimit të një operatori për të shkarkuar një shofer dhe për ta rishikuar atë së bashku me çdo informacion tjetër të rëndësishëm si pjesë e çdo vendimi për revokimin e një licence. Të gjithë shoferët kanë të drejtë të apelojnë një vendim për heqjen e licencës përmes gjykatës së magjistraturës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore