Kultura

Ura në ‘ajër’ e këmbësorëve në Portugali


Në Portugali, Instituti për Kërkime dhe Zhvillim Teknologjik të Ndërtimit, ka bërë realitet një urë këmbësorësh 516 metra të gjatë, e cila qëndron pezull.

Dezeen, faqe kushtuar arkitekturës dhe dizajnit, tregon se ura, e cila qëndron pezull e quajtur 516 Arouca është e vendosur në Portugalinë Veriore 175 metra mbi lumin Paiva dhe lidh dy kodra me faqet e shkëmbit prej graniti.

Ajo u ndërtua si një atraksion turistik për zonën e Arouca-s duke siguruar pamje nëpër Grykën e Pavia-s dhe drejt Ujëvarës Aguieiras që ndodhet aty pranë.

Ura është e vendosur pranë rrugicave Pavia, një shtegu tetë kilometra të gjatë që përshkon kodrat aty.

“Një punë e shquar e inxhinierisë kombëtare dhe sigurisht që do të jetë një nga strukturat më ikonike në komunën e Arouca-s dhe që me siguri do të bëhet një pikë referimi e modernitetit”, është shprehur Margarida Belem, kryebashkiakja e Arouca-s.

Ky atraksion me strukturën e tij të veçantë është kthyer tanimë në urën e pezullt të këmbësorëve më të gjatë në Evropë duke tejkaluar urën Charles Kuonen në Zvicër, e cila është 494 metra e gjatë.

Një përfaqësuese e institutit ka thënë se “me një gjatësi prej 516 metrash dhe një lartësi nga niveli i ujit prej 175 metrash, ajo është më e larta për sa i përket ndërtimit dhe ka më shumë kapacitet”.

Lidhur me konstruktin e urës, në të dyja anët e saj janë të vendosura kulla prej betoni në formë Y-je që mbështesin dy kabllo tërheqëse, të cilat shtrijnë gjithë gjatësinë e urës.

Kabllot janë të vendosura në dy pikat më të larta të kullave të betonit dhe janë të lidhura me kuvertat e shtegut me kabllo vertikale.

Ndërkohë që vendkalimi është i përbërë nga një koleksion prej 127 kuvertash të ndërthurura me grilë metalike, të cilat bëjnë që struktura të funksionojë si një qelizë individuale dhe ku secila prej tyre të lidhet me kabllot e pezullimit në të dy anët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore