Lajme

Ura e “kurthit” në Venezia – merret vendimi për t’u rindërtuar


Një dysheme e xhamtë në urën e këmbësorëve në Venezia, ajo që quhet “Ponte della Costituzione”, është cilësuar nga vendasit si “një kurth për turistët”.

Ura, vepër e arkitektit Santiago Calatrava, u hap në vitin 2008. Ajo është një ndërthurje mes modernes dhe të vjetrës.

Në sy të bie harkimi i saj me dy bordurat prej xhami dhe dyshemenë e lëmuar.

Tanimë, kjo urë mbi Kanalin e Madh, pranë stacionit të trenit të Venezia-s, është kthyer në një skenë krimi ‘të denjë’ me rrëshqitjet e këmbësorëve nga më të rrezikshmet.

Teksa turistët enden të pavëmendshëm mbi dyshemenë e xhamtë, venedikasit vëzhgojnë me kujdes dhe kanë filluar të marrin masa.

Pas vitesh protestash dhe problemesh, qyteti ka vendosur të zëvendësojë xhamin e tejdukshëm me gurë trakiti më pak të rrëshqitshëm, edhe pse më pak magjepsës. Kjo do të kushtojë 500 mijë euro.

Santiago Calatrava e projektoi urën Ponte della Costituzione në vitin 1999. Ai është një prej arkitektëve më të vlerësuar në mbarë botën dhe njihet si projektuesi i Qendrës Botërore të Tregtisë me seli në New York.

Pas vënies në përdorim, do të vërshonin një sërë ankesash dhe protestash se ura ishte më e rrëshqitshme seç duhej.

Në vitin 2013, protestat u intensifikuan dhe u vendos që të kishte një teleferik mbi urë, për ta bërë atë më të aksesueshme.

Kabina e kuqe, e rrumbullakët kushtoi plot rreth 1.5 milionë euro, por ishte e ngadaltë për të përshkuar urën dhe, gjatë verës, nxehtësia brenda teleferikut ishte e padurueshme. Kështu, ajo u çmontua.

Në vitin 2018, u mor vendimi për zëvendësimin e disa prej pllakave të qelqta me trakit.

Por, gjatë pandemisë, u regjistruan disa pamje që bënë xhiron e rrjeteve sociale. Ndërsa po transmetoheshin lajmet, dikush u filmua duke rrëshqitur.

Vitin e kaluar, administrata mblodhi fondet për të zëvendësuar plotësisht dyshemenë prej xhami.

Projektet e Santiago Calatrava-s, jo edhe aq të suksesshme

Venezia nuk është qyteti i parë që ka hasur probleme me projektet e Calatrava-s.

Në vitin 2011, në Bilbao, Spanjë, u shtua një qilim gjigant i zi prej gome mbi një urë këmbësore të xhamtë ‘Calatrava’, sepse kishte shumë këmbësorë që rrëshqisnin.

“Ndërsa plani i Venezia-s ende duhet t’u nënshtrohet testeve strukturore dhe të miratohet nga autoriteti arkitektonik i qytetit, administruesit e qytetit turistik kanë vendosur të parandalojnë rëniet pothuajse të përditshme”, tha administratorja e punëve publike të Venezia-s, Francesca Zaccariotto.

“Ne nuk mund të bëjmë gjithmonë poezi, ne duhet të japim siguri”, ravijëzoi ajo.

Calatrava është përballur me padi dhe gjoba për problemet në lidhje me urën, por shpesh është mbrojtur, duke deklaruar se “ura u kontrollua me metoda të sofistikuara, të cilat përcaktuan se ajo ka një strukturë solide”.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore